Zbulimi i bujshëm: Del në drite një qytet me 6 mozaikë të shekullit të IV në Qesarat të Tepelenës
Nga Engjëll Serjani
Zbulim i bujshëm arkeologjik në Qesarat të Tepelenës
Del në dritë një qytet me gjashtë mozaikë të shekullit IV
Një zbulim i rëndësishëm arkeologjik vjen nga Qesarati i Tepelenës, ku ekspedita arkeologjike shqiptaro-italiane ka nxjerrë në dritë një kompleks të pasur arkitektonik, me gjashtë dysheme të dekoruara me mozaikë shumëngjyrësh, figura njerëzore, motive gjeometrike dhe fragmente pikturash murale.
Zbulimi është bërë gjatë fushatës së vitit 2026, në kuadër të projektit arkeologjik shqiptaro-italian “Arkeologjia e peizazhit në zonën Tepelenë-Memaliaj”, të organizuar nga Akademia e Studimeve Albanologjike, në bashkëpunim me Universitetin “Aldo Moro” të Barit dhe me mbështetjen e Ministrisë së Jashtme të Italisë.
Lajmin e kanë bërë të ditur vetë arkeologët që drejtojnë kërkimet: Prof. Eduart Shehi, Prof. Sabina Veseli, e Institutit të Arkeologjisë dhe Akademisë së Studimeve Arkeologjike të Tiranës, si dhe Prof. Cunstode Silvio Fiorilello, nga Universiteti “Aldo Moro” i Barit.
Gjatë punimeve arkeologjike në rrënojat e një ndërtese komplekse dhe luksoze, që ndodhet rreth 400-500 metra në të djathtë të rrugës kombëtare në drejtim të Tepelenës dhe Gjirokastrës, arkeologët kanë zbuluar gjashtë sipërfaqe dyshemeje të zbukuruara me mozaikë.
Sipas interpretimit të specialistëve, kompleksi lidhet me periudhën romake dhe me dëshmi të jetës në antikitetin e vonë. Mozaikët, megjithëse të dëmtuar pjesërisht, janë ruajtur në përgjithësi në gjendje të mirë.
Mes tyre spikat veçanërisht një kompozim figurativ ku paraqitet Erosi, i vendosur në një prej sipërfaqeve të mozaikut, pranë një pjese të dëmtuar të dyshemesë. Prania e figurave njerëzore, krahas motiveve gjeometrike dhe elementeve të tjera dekorative, e bën këtë koleksion një prej dëshmive më interesante të zbuluara në këtë territor.
Por zbulimi nuk kufizohet vetëm te bukuria e mozaikëve.
Gërmimet kanë nxjerrë në pah gjurmë të një ndërtese të madhe, me ambiente termale dhe elemente të tjera arkitekturore që dëshmojnë për një jetë të zhvilluar në këtë territor në antikitet. Përmasat, pasuria e dekorimit dhe karakteri i strukturës kanë ngritur edhe pyetje mbi funksionin dhe statusin e saj në peizazhin e lashtë të Qesaratit.
Sipas arkeologëve, kompleksi mund të ketë qenë i lidhur me një fermë më të hershme, që i përket fundit të periudhës qytetare ilire, duke dëshmuar vazhdimësinë dhe transformimin e jetës në këtë territor nga periudha ilire drejt asaj romake.
Një territor i njohur për pasurinë arkeologjike
Qesarati nuk është një territor i panjohur për arkeologjinë. Më herët, në këtë zonë janë zhvilluar edhe gërmime arkeologjike shpëtimi, ndërsa kërkimet sistematike të projektit shqiptaro-italian kanë sjellë të dhëna të reja mbi shtrirjen dhe kompleksitetin e trashëgimisë së saj.
Gjatë vëzhgimeve dhe sondazheve të kryera në vitin 2025, në një sipërfaqe prej rreth 70 hektarësh, ekipi arkeologjik regjistroi 67 njësi topografike dhe identifikoi rreth 20 site, pothuajse të gjitha shumështresore.
Këto të dhëna shpjegojnë edhe interesin e veçantë të arkeologëve për vazhdimin e kërkimeve në këtë zonë gjatë fushatës së vitit 2026.
Këtë vit, vëmendja u përqendrua pikërisht te rrënojat e ndërtesës së madhe, të pasur me gjurmë arkitekturore, ambiente termale dhe dëshmi të tjera të jetës në antikitetin e vonë. Dhe ishte pikërisht kjo fushatë që solli në dritë gjashtë dyshemetë e mozaikëve, duke i dhënë një dimension të ri njohjes së Qesaratit antik.
Zbulimi ngre tashmë pyetje të reja për shtrirjen e vendbanimit dhe marrëdhënien e tij me strukturat e tjera të evidentuara në territor. Përgjigjet do të varen nga vazhdimi i gërmimeve dhe studimi i materialit të zbuluar.
Një tjetër hallkë në peizazhin arkeologjik të Vjosës
Zbulimi i Qesaratit merr një rëndësi të veçantë edhe për faktin se ai ndodhet në një territor jashtëzakonisht të pasur me dëshmi të qytetërimeve të ndryshme.
Në hapësirën e gjerë të luginës së Vjosës dhe në territoret përreth saj gjenden site dhe monumente të rëndësishme arkeologjike, ndër të cilat Antigonea, Dedejani, Kalaja e Këlcyrës, Lekli, Kalaja e Matohasanajt, Amantia, Mavrova, Bylisi, Klosi dhe Apolonia.
Në të dy brigjet e Vjosës dhe përgjatë degëve të saj ruhen dëshmi të një historie të gjatë, që shtrihet nga periudhat e hershme parahistorike dhe neoliti i vonë, përmes epokës së bronzit dhe periudhës ilire, deri te periudhat romake, mesjetare dhe osmane.
Në këtë mozaik të gjerë të trashëgimisë së Jugut, Qesarati sjell tashmë një dëshmi të re.
Gjashtë dyshemetë me mozaikë, figura e Erosit, gjurmët e pikturave murale, ambientet termale dhe vetë struktura e kompleksit hapin një faqe të re për njohjen e historisë së këtij territori.
Dhe, ndoshta, pjesa më interesante e këtij zbulimi është pikërisht ajo që ende fshihet nën tokë.
Gërmimet e vitit 2026 kanë hapur një dritare të re drejt Qesaratit antik. Vazhdimi i tyre mund të tregojë se sa e madhe është në të vërtetë kjo histori që sapo ka nisur të dalë në dritë.
