Pëllumb Xhufi: Po vjen era luftë në Ballkan!
Historiani dhe akademiku Pëllumb Xhufi ka dhënë një paralajmërim të fortë për zhvillimet në Ballkan dhe ndryshimet që po ndodhin në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. I ftuar në emisionin “Shqip” nga Dritan Hila në DritareTV, Xhufi tha se e sheh situatën aktuale si të rrezikshme, ndërsa gjatë bisedës u ngrit pyetja nëse në rajon po “vjen era luftë”.
“Unë nga natyra s’jam shumë optimist, por e shoh gjendjen të rrezikshme. Vjen era luftë” u shpreh Xhufi.
Sipas tij, shqetësimi lidhet edhe me ndryshimin e madh që po ndodh në raportet mes SHBA-së dhe Evropës. Xhufi kujtoi se për dekada marrëdhënia transatlantike kishte funksionuar si një aleancë shumë e fortë, pavarësisht se kush drejtonte Shtëpinë e Bardhë.
“Jemi në një kontekst kur është prishur raporti i Shteteve të Bashkuara me Evropën në mënyrë katastrofale. Presidentët që kanë qenë demokratë apo republikanë, të gjithë i kanë pasur marrëdhëniet me Europën si një aleancë çeliku. Tani Evropa trajtohet si armike e Shteteve të Bashkuara”, tha historiani.
Xhufi e lidhi këtë panoramë edhe me zhvillimet në Kosovë dhe me dënimin e ish-krerëve të UÇK-së. Ai tha se prej kohësh vihet re një tërheqje e angazhimit amerikan krahasuar me rolin që SHBA-ja pati gjatë krizave në Ballkan në vitet ’90, nga Bosnja e deri te Kosova.
Duke folur për luftën e Kosovës, Xhufi kujtoi se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 bashkoi vendet perëndimore në një mënyrë që, sipas tij, nuk u përsërit në konfliktet e mëvonshme. Ai argumentoi se ndërhyrja erdhi në kushtet e represionit dhe dhunës ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Historiani u ndal edhe te Serbia, duke dhënë një vlerësim të ashpër për politikën e saj. “Serbia vazhdon të jetë ai vend agresiv që ka qenë”, tha Xhufi, ndërsa argumentoi se pretendimet dhe përplasjet historike ndaj shqiptarëve vazhdojnë të ndikojnë në marrëdhëniet e sotme në rajon.
Në këtë kontekst, Xhufi e sheh me shqetësim dobësimin e kohezionit mes SHBA-së dhe Evropës, pikërisht në një periudhë kur Ballkani vijon të ketë tensione të pazgjidhura. Për të, kombinimi i këtyre zhvillimeve është arsyeja pse situata nuk duhet nënvlerësuar.
Xhufi ka reaguar ashpër ndaj procesit gjyqësor dhe dënimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai tha se mënyra se si është zhvilluar procesi ngre pikëpyetje të mëdha, ndërsa e cilësoi atë si një proces të stisur.
“Sigurisht, kjo është thënë që në krye të herës, që procesi i ngritur ndaj katër komandantëve të UÇK-së është një proces i stisur që zhvillohet jashtë çdo norme ligjore. Mbajtja e gjashtë viteve për të formuluar aktakuzën dhe për të bërë pastaj procesin gjyqësor, të gjitha janë gjëra që të lënë një dyshim të madh”, u shpreh Xhufi.
Sipas tij, një nga problemet kryesore është se në gjykimin e ish-drejtuesve të UÇK-së nuk merret sa duhet në konsideratë konteksti në të cilin ndodhi lufta. Xhufi argumentoi se përballë njëra-tjetrës ishin UÇK-ja dhe forcat serbe, ndërsa ndërhyrja e NATO-s erdhi pikërisht për shkak të përshkallëzimit të konfliktit dhe dhunës në Kosovë.
“Pranohet që ka pasur një Ushtri Çlirimtare të Kosovës me komandë dhe pastaj nuk pranohen efektet e një lufte të vërtetë”, tha historiani. Ai e përshkroi UÇK-në si një forcë të përbërë nga shqiptarë që, sipas tij, “ju kishte ardhur thika në asht” dhe që u ngritën kundër represionit serb.
Xhufi solli edhe shembuj të veprimeve ndaj personave të dyshuar si informatorë gjatë një konflikti, duke argumentuar se ngjarje të tilla duhet të analizohen brenda rrethanave konkrete të luftës. Nga kjo pikëpamje, ai e cilësoi procesin aktual “një nonsens” dhe “diçka të trishtueshme” për shqiptarët që, sipas tij, njohin vlerën e luftës së UÇK-së dhe të drejtuesve të saj.
Historiani u ndal edhe te pasojat që vendimi mund të ketë për imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Sipas tij, edhe pse gjykata e ka ndarë përgjegjësinë individuale nga UÇK-ja si organizatë, vendimi po përdoret nga zëra të ndryshëm për të sulmuar vetë luftën e Kosovës.
Xhufi kritikoi gjithashtu kryeministrin aktual të Kosovës, duke pretenduar se prej vitesh ka mbajtur një qëndrim të pashpjegueshëm ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. “Unë e dua UÇK-në, po s’dua udhëheqësit e UÇK-së. Domethënë ky ka qenë mesazhi që ka lëshuar”, tha ai, duke dhënë interpretimin e tij për qëndrimin politik të Albin Kurtit.