27 Korrik, 2026

Ukraina godet thellë në Rusi

 Ukraina godet thellë në Rusi

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës kanë goditur një nga ndërmarrjet kryesore ushtarake në rajonin Kirov të Rusisë, e cila sipas tij furnizon me komponentë sistemet e aviacionit dhe raketave të ushtrisë ruse.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Zelensky falënderoi trupat ukrainase për operacionin, duke e cilësuar përgjigjen e Ukrainës si të justifikuar.

“Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës goditën sot një nga ndërmarrjet kryesore ushtarake në Kirov të Rusisë. Ajo furnizon komponentë për avionët dhe sistemet raketore të pushtuesit, të cilat përdoren, ndër të tjera, në sulmet masive kundër qyteteve dhe komuniteteve tona”, shkroi Zelensky.

Presidenti ukrainas tha gjithashtu se sulmet me rreze të gjatë kanë dhënë rezultate edhe ndaj një objekti të industrisë së naftës, rreth 1 mijë e 350 kilometra larg, si dhe ndaj objektivave të tjera.

Sipas tij, operacionet kundër logjistikës ruse, që furnizon ushtrinë me komponentë për dronë, pajisje navigimi dhe mjete ushtarake, vijojnë.

Zelensky falënderoi njësitë e Forcave të Armatosura të Ukrainës, shërbimet e inteligjencës dhe Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës për përfshirjen në këto operacione.

“Lavdi Ukrainës!”, përfundoi ai reagimin.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *