14 Korrik, 2026

SHBA dyshonte se Izraeli mund të eliminonte negociatorët iranianë

 SHBA dyshonte se Izraeli mund të eliminonte negociatorët iranianë

Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kishte shqetësime se Izraeli mund të synonte eliminimin e dy zyrtarëve të lartë iranianë gjatë negociatave të ndjeshme për armëpushimin mes Washington-it dhe Teheranit.

Kështu raporton New York Times, duke cituar zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë.

Sipas raportimit, Washingtoni kishte frikë se ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, dhe kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Qalibaf, mund të bëheshin objektiv i një sulmi ndërsa bisedimet u intensifikuan në prill.

Për këtë arsye, administrata amerikane u kërkoi disa vendeve të Lindjes së Mesme të paralajmëronin autoritetet iraniane për mundësinë që Izraeli të ndërmerrte një veprim të tillë.

Burimet e cituara nga gazeta amerikane thonë se zyrtarët amerikanë besonin se çdo atentat ndaj negociatorëve, pasi dialogu kishte hyrë në një fazë intensive, do të çonte në ndërprerjen e menjëhershme të bisedimeve dhe do të rrezikonte rikthimin e konfliktit.

Sipas raportimit, Washingtoni kishte marrë informacione se të paktën Mohammad Bagher Qalibaf ishte përfshirë në një listë objektivash të Izraelit dhe u kishte kërkuar autoriteteve izraelite të mos ndërmerrnin një veprim të tillë.

New York Times citon gjithashtu zyrtarë iranianë, sipas të cilëve Teherani kishte kërkuar garanci nga Shtetet e Bashkuara, përmes ndërmjetësimit të Pakistanit dhe Katarit, se delegacioni negociator iranian nuk do të ishte objekt sulmesh gjatë zhvillimit të takimeve diplomatike.

Raportimi përmend edhe një incident të ndodhur në prill, kur avioni që transportonte Qalibafin nga Islamabadi ndryshoi itinerar dhe u ul në Mashhad, pasi shërbimet iraniane të sigurisë kishin sinjalizuar hyrjen e dy avionëve izraelitë në hapësirën ajrore iraniane.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *