Shtëpia e Bardhë ndal planin e Hegseth për Evropën
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ishte përgatitur të njoftonte një reduktim të mëtejshëm të trupave amerikane në Evropë gjatë takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel muajin e kaluar, por plani u tërhoq në momentet e fundit pas ndërhyrjes së zyrtarëve të lartë të administratës së presidentit Donald Trump.
Sipas një raportimi të Wall Street Journal, Hegseth planifikonte të shpallte shkurtime që do të shkonin përtej anulimit të dislokimit të një brigade të blinduar në Poloni dhe tërheqjes së mëhershme të një brigade këmbësorie nga Rumania.
Megjithatë, propozimi u kundërshtua pasi iu paraqit këshilltarit për sigurinë kombëtare të presidentit Trump, Marco Rubio, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të administratës.
Në vend të njoftimit për reduktimet, Hegseth deklaroi se Pentagoni do të ndërmarrë një rishikim të plotë të pranisë ushtarake amerikane në Evropë, proces që mund të zgjasë deri në gjashtë muaj.
Episodi tregon se administrata Trump ende nuk ka arritur një qëndrim përfundimtar mbi ritmin dhe shtrirjen e reduktimeve të mundshme të forcave amerikane në kontinentin evropian.
Ndërkohë, retorika e presidentit Trump ndaj aleatëve të NATO-s ka mbetur kritike, duke i akuzuar vazhdimisht disa vende se nuk investojnë mjaftueshëm në mbrojtje ose nuk kanë mbështetur politikën amerikane në konfliktin me Iranin.
Zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, deklaroi se, “Sekretari Hegseth u kujdes që mesazhi i tij të ishte në përputhje me objektivat dhe agjendën e presidentit dhe nuk dëshironte të kufizonte hapësirën e presidentit për të marrë vendime”.
Çështja pritet të jetë në qendër të diskutimeve gjatë samitit të NATO-s në Ankara javën e ardhshme, ku presidenti Trump do të takohet me udhëheqësit e aleancës. Zyrtarët e NATO-s shpresojnë që samiti të shfaqë unitet dhe mbështetje për Ukrainën, megjithëse ekziston shqetësimi se tensionet me Uashingtonin mund të dominojnë agjendën.
Sipas raportimit, në selinë e NATO-s po shqyrtohet edhe mundësia e anulimit të samitit të ardhshëm të aleancës, i planifikuar të zhvillohet vitin e ardhshëm në Shqipëri.
Strategjia e re e mbrojtjes e Pentagonit, e publikuar në janar, parashikon një reduktim gradual të pranisë ushtarake amerikane në Evropë, me synimin për të përqendruar më shumë burime në rajonin e Paqësorit Perëndimor dhe në hemisferën perëndimore.
Dokumenti thekson se vendet evropiane duhet të marrin përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen konvencionale të kontinentit.
Megjithatë, përpjekjet për të reduktuar praninë ushtarake amerikane kanë hasur në kundërshtime të forta si nga republikanët, ashtu edhe nga demokratët në Kongres.
Ligjvënësit kanë propozuar dispozita që do ta ndalonin Pentagonin të ulte numrin e trupave amerikane në Evropë nën 76 mijë ushtarë pa një vlerësim të detajuar të rrezikut dhe pa certifikimin e vetë Sekretarit të Mbrojtjes.