21 Maj, 2026

Rusia kërcënon hapur Letoninë

 Rusia kërcënon hapur Letoninë

Tensionet mes Rusisë dhe Letonisë janë përshkallëzuar ndjeshëm pasi shërbimet ruse të inteligjencës lëshuan një deklaratë kërcënuese ndaj shtetit baltik, duke paralajmëruar se anëtarësimi në NATO “nuk do ta mbrojë” Letoninë nga “ndëshkimi”.

Në deklaratën e publikuar nga Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë thuhet se “koordinatat e qendrave vendimmarrëse në Letoni janë të njohura” dhe se “bashkëpunëtorët e terroristëve nuk do t’i shpëtojnë hakmarrjes së drejtë”.

Autoritetet ruse pretendojnë se Letonia po bashkëpunon me Ukraine në koordinimin e sulmeve me dronë ndaj territorit rus. Megjithatë, deri tani Moska nuk ka paraqitur asnjë provë publike për të mbështetur këto akuza.

Deklarata konsiderohet një nga kërcënimet më të drejtpërdrejta të bëra nga Rusia ndaj një shteti anëtar të NATO-s që prej fillimit të luftës në Ukrainë në vitin 2022.

Letonia, një nga vendet baltike më kritike ndaj Kremlinit, ka qenë ndër mbështetëset më të forta të Ukrainës në planin politik, ushtarak dhe humanitar. Riga ka paralajmëruar vazhdimisht për rrezikun e zgjerimit të agresionit rus në Evropën Lindore dhe ka kërkuar forcim të pranisë ushtarake të NATO-s në rajon.

Deklarata ruse vjen në një moment tensionesh të larta gjeopolitike, ndërsa lufta në Ukrainë po hyn në vitin e pestë dhe sulmet me dronë janë kthyer në një element kyç të konfliktit mes Kievit dhe Moskës.

Deri tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga qeveria e Riga apo nga NATO lidhur me deklaratën e inteligjencës ruse.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *