Libri që shpjegon Ramën më mirë se çdo analist
Nga Klementin Mile
Ndërkohë që Rama mbante fjalimin në Grupin Parlamentar të PS-së, e ndoqa duke rilexuar librin e disa politologëve amerikanë me titull “Logjika e Mbijetesës Politike.” Pas kësaj, e kisha të qartë që fjalimi i Kryeministrit nuk ishte përgjigje ndaj protestës. Madje nuk ishte fare fjalim për protestuesit.
Por vetëm për njerëzit që e mbajnë në pushtet.
Këtë bën Rama.
Ai thuajse nuk merret fare me protestuesit.
Nuk përpiqet t’i kthejë në mbështetës.
Nuk negocion me ta.
Nuk ndryshon kurs për t’i kënaqur.
Përkundrazi, e zhvendos krejt debatin në nivel tjetër:
nga protesta te algoritmi,
nga Zvërneci te demokracia,
nga konflikti i ditës te “misioni historik” i integrimit europian.
Në pamje të parë fjalimi i Ramës dukej debat filozofik. Por në fakt ishte operacion politik i zhvilluar me gjakftohtësi.
Mesazhi i tij nuk ishte për protestën.
Ishte për deputetët, ministrat, drejtuesit e administratës, patronazhistët, sponsorët politikë dhe çdo hallkë të koalicionit politiko-mediatiko-ekonomik që e mban Ramën në pushtet.
Mesazhi ishte i thjeshtë: mos u trembni nga zhurma, mos u ndani, mos ndryshoni kurs.
Prandaj fjalimi fliste vazhdimisht për destinacionin, Odisenë, sirenat, algoritmin, misionin dhe Bashkimin Europian.
Këto nuk ishin figura letrare për të zbukuruar fjalimin, por mekanizma për të rritur koston politike dhe psikologjike të çdo dezertimi.
Prandaj, nga këndvështrimi i “Logjikës së Mbijetesës Politike”, ky nuk ishte fjalim propagandistik. Përkundrazi, ishte operacion për mirëmbajtjen e koalicionit të pushtetit.
Dhe këtu është leksioni më i veçantë i kësaj historie.
Kur lideri ndien rritjen e presionit, ai nuk e investon energjinë kryesore për të bërë për vete kundërshtarët. Por investon gjithçka për të mos humbur të vetët.
Kjo është logjika e mbijetesës politike.