Putin pranon problemet me raketën hipersonike “Zircon”
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka pranuar publikisht se raketa hipersonike 3M22 “Zircon” ende nuk ka arritur nivelin e dëshiruar të saktësisë në goditje, duke sinjalizuar se sistemi vazhdon të jetë në zhvillim, pavarësisht se prej vitesh është promovuar nga Moska si një nga armët më të avancuara të Rusisë.
Gjatë një takimi me personelin e Marinës ruse në Shën Petersburg, më 26 korrik, Putin deklaroi se puna për përmirësimin e raketës vazhdon edhe pse ajo tashmë është futur në përdorim operacional.
“Vetëm një ‘Zircon’ vlen shumë! Ajo ende ka nevojë për punë. Duhet të vazhdojmë të përmirësojmë saktësinë e saj. Përdorimet e fundit kanë treguar se ajo po bëhet më e saktë. Pak vende në botë kanë armë të tilla, ndërsa ne jo vetëm që i kemi, por po i përmirësojmë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, u shpreh Putin.
Deklaratat e tij përbëjnë një ndryshim të dukshëm nga retorika e mëparshme e Kremlinit, e cila e ka paraqitur vazhdimisht “Zircon”-in si një armë hipersonike të gjeneratës së re, plotësisht të zhvilluar dhe me aftësi të jashtëzakonshme.
Raketa 3M22 “Zircon” është projektuar fillimisht si një armë kundër anijeve luftarake. Sipas të dhënave të publikuara nga Rusia, ajo mund të arrijë shpejtësi deri në Mach 9 dhe ka një rreze veprimi prej rreth 1 mijë kilometrash. Megjithatë, ajo është përdorur edhe në sulme ndaj objektivave në Ukrainë.
Analizat e mbetjeve të raketave të gjetura në Ukrainë dhe vëzhgimet mbi trajektoren e fluturimit kanë ngritur dyshime se “Zircon” ndjek një trajektore kuazi-balistike në fazën përfundimtare të fluturimit, në vend që të ruajë manovrimin hipersonik gjatë gjithë rrugës.
Sipas vlerësimeve të ushtrisë ukrainase, Rusia planifikon të prodhojë rreth 30 raketa “Zircon” gjatë vitit 2026. Megjithatë, deri në mesin e korrikut, forcat ruse raportohet se kishin përdorur tashmë 20 prej tyre në operacione luftarake.