5 Qershor, 2026

Kush është “bankomati” i familjes Meta-Kryemadhi në dosjen e SPAK

 Kush është “bankomati” i familjes Meta-Kryemadhi në dosjen e SPAK

E pandehura Ema Çoku, del si një nga personazhet kyçe në rrjetin e pagesave, borxheve, transfertave dhe deklarimeve noteriale që lidhen me familjen Meta-Kryemadhi, LSI-në dhe biznesmenin shqiptaro-amerikan Adrian Shatku. Sipas dosjes së SPAK të siguruar nga “MaShqip”, nga aktet hetimore, prokuroria ka rindërtuar një skemë financiare ku Çoku, edhe pse rezulton me mungesë likuiditeti, kredi të mëdha dhe borxhe të vazhdueshme, shfaqet duke kryer pagesa, transferta dhe mbulime shpenzimesh në vlera të konsiderueshme për aktivitete të lidhura me LSI-në, LRI-në, Monika Kryemadhin dhe persona të huaj që, sipas SPAK, kanë ofruar konsulencë politike.

Në deklarimin e saj, Ema Çoku ka pranuar se ka urdhëruar një pagesë prej 12 mijë dollarësh drejt kompanisë amerikane JPM Strategic Solution LLC, duke pretenduar se kompania i kishte ofruar shërbim këshillimi “si të shmangia problemet me përmbarimin, si të bëja marrëveshje me bankat për shlyerjen e detyrimit”. Por SPAK e vendos këtë pagesë në një kontekst më të gjerë, pasi kompania JPM dhe përfaqësues të saj rezultojnë të lidhur edhe me aktivitete konsulence për LSI-në dhe me praninë e John Moreira në Shqipëri.

Sipas dosjes, Ema Çoku është lidhje e afërt familjare me Ilir Metajn dhe Monika Kryemadhin. Ajo, përmes punonjëses së saj Vera Bazi, ka paguar në vitin 2013 për një aktivitet argëtues të LRI-së shumën 4.103.605 lekë, ka kryer derdhje cash në bankë për llogari të Hotel Rogner, ka bërë donacione 7 mijë euro për LSI-në në vitin 2016 dhe ka firmosur deklarata noteriale ku shfaqen shuma të mëdha në raport me familjen Kryemadhi.

Detajet

Në një deklaratë noteriale të 6 shkurtit 2019, Çoku ka deklaruar se gjatë viteve 2011-2019 i ka transferuar Monika Kryemadhit 16 mijë euro dhe 1.5 milionë lekë për blerje që Monika, sipas saj, kishte bërë me kartë për llogari të saj. Ndërsa në një tjetër deklaratë noteriale të 22 majit 2024, ajo ka deklaruar se në fillim të vitit 2010 i ka dhënë Fatime Kryemadhit hua shumën 220 mijë euro. Por pikërisht këtu SPAK ngre dyshimin më të madh: si mund të jepeshin hua, donacione dhe pagesa të tilla, kur vetë Ema Çoku rezultonte me mungesë likuiditeti dhe me një histori të rëndë kredish e borxhesh?

Në dosje renditen kreditë dhe borxhet e saj për periudhën 2004-2010: 200 mijë euro kredi në Bankën Italo-Shqiptare në janar 2004; 600 mijë euro në Intesa Sanpaolo në shkurt 2005; 4.9 milionë lekë në Bankën Tregtare në shtator 2005; 200 mijë euro borxh nga Oltion Buneci në nëntor 2005; 275 mijë euro kredi në Bankën Nacionale Greke në tetor 2007; 150 mijë euro borxh nga Gazment Demi në vitin 2007; 100 mijë euro borxh nga Oltion Buneci në mars 2008; 200 mijë euro kredi në Raiffeisen në prill 2008; 6.93 milionë lekë kredi në Credins në dhjetor 2008; 100 mijë euro borxh nga Gazment Demi në vitin 2008; 24 mijë euro overdraft në Credins në gusht 2009; 6.3 milionë lekë kredi në Credins në mars 2010 dhe 64.675 milionë lekë kredi në Bankën Tregtare në tetor 2010.

Dyshimet

Pra, sipas SPAK, në të njëjtën periudhë kur Çoku rezultonte me barrë të madhe financiare, ajo shfaqej edhe si person që kishte dhënë para, kishte mbuluar pagesa për aktivitete politike dhe kishte kryer transferta në lidhje me persona e kompani të lidhura me Shatkun dhe LSI-në. Nga verifikimi i llogarive bankare të Ema Çokut, kompanisë së saj B.S.K. sh.p.k., Adrian Shatkut, UNIFI Communications dhe familjarëve të Shatkut, SPAK evidenton transferta të mëdha në dollarë. Në 31 janar 2011, Ema Çoku i ka transferuar Adrian Shatkut 35 mijë dollarë, të cilat po atë ditë i kishte depozituar cash në llogarinë e saj.

Në 31 mars 2011, ajo i ka transferuar UNIFI Communications 54 mijë dollarë, edhe këto të depozituara cash po atë ditë. Në 15 korrik 2013, Çoku i ka transferuar Adrianit 100 mijë dollarë, shumë që po atë ditë ishte depozituar cash në katër këste nga 25 mijë dollarë, nga katër punonjës të kompanisë B.S.K. Në anën tjetër, në 22 dhjetor 2015, UNIFI Communications i ka transferuar Ema Çokut 11 mijë dollarë me përshkrimin “shpenzime vendore”. Më pas, në 21 janar 2016, Çoku i ka transferuar Adrianit edhe 30 mijë dollarë, shumë që po atë ditë ishte depozituar cash në llogarinë e saj. Dosja evidenton edhe pagesat për akomodime në Hotel Rogner.

Kompania B.S.K. e Ema Çokut ka paguar në vitin 2013 shpenzimet e akomodimit për shtatë shtetas të huaj, mes tyre John Moreira dhe Patrick Faust, në shumën 1.142.000 lekë. Po ashtu, Vera Bazi, punonjëse e B.S.K., ka derdhur cash në 30 prill 2013 shumën 10 mijë euro në llogarinë e Hotel Rogner për shërbimin “ushqim dhe pije, banket i LRI-së”. Më 11 qershor 2014 ka derdhur 300 mijë lekë dhe më 25 shtator 2014 shumën 363.910 lekë për evente të LRI-së.

Prapaskenat

SPAK e sheh këtë si pjesë të një zinxhiri të gjerë financiar ku ndërthuren Ema Çoku, kompania e saj B.S.K., Vera Bazi, Adrian Shatku, UNIFI Communications, LSI, LRI dhe familja Meta-Kryemadhi. Hetuesit kanë ngritur dyshime se disa pagesa dhe deklarime huaje mund të kenë shërbyer për të justifikuar para, shpenzime apo përfitime që realisht nuk përputheshin me burimet e deklaruara. Në dosje thuhet se nga hetimi është vërtetuar ekzistenca e një lidhjeje interesash ekonomike dhe transaksionesh bankare midis kompanisë B.S.K., UNIFI Communications, LSI-së, Ilir Metajt dhe Monika Kryemadhit.

Në këtë skemë, Ema Çoku del jo thjesht si familjare e afërt, por si person që ka kryer veprime konkrete financiare, pagesa cash, transferta, deklarime noteriale dhe mbulim shpenzimesh që sipas SPAK duhet të verifikohen si pjesë e dyshimeve për pastrim parash dhe fshehje të burimit të të ardhurave. Në përfundim, SPAK ngre dyshimin se Ema Çoku, ndonëse me kredi, borxhe dhe mungesë likuiditeti, ka lëvizur shuma të konsiderueshme parash në funksion të njerëzve dhe strukturave të lidhura me familjen Meta-Kryemadhi, duke krijuar një tjetër hallkë të rëndësishme në hetimin për financimet e padeklaruara, shpenzimet politike dhe përfitimet e dyshuara nga marrëdhënia me Adrian Shatkun dhe kompanitë e tij. (SOT)

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *