Izraeli vendosi fshehurazi trupa në Azerbajxhan gjatë luftës me Iranin
Izraeli vendosi fshehurazi trupa elitare dhe personel të inteligjencës në Azerbajxhan gjatë luftës me Iranin, si pjesë e një rrjeti pozicionesh sekrete në Lindjen e Mesme që mbështetën operacionet ushtarake kundër Teheranit.
Kështu raporton CNN duke cituar katër burime të njohura me çështjen.
Sipas raportimit, forcat izraelite operuan nga disa lokacione në jug të Azerbajxhanit, pranë kufirit verior të Iranit dhe rreth 100 kilometra larg qytetit iranian të Tabrizit, i cili u godit nga sulmet izraelite gjatë konfliktit.
Burimet thanë se në këto pozicione ishin dislokuar pjesëtarë të forcave speciale izraelite, personel i Mossad-it dhe njësi elitare të operacioneve speciale. Ata kryen misione mbledhjeje informacioni dhe operacione me dronë, duke i dhënë Izraelit një avantazh të rëndësishëm për monitorimin e territorit iranian.
CNN raporton se pozicionet në Azerbajxhan ishin pjesë e një rrjeti më të gjerë lokacionesh sekrete në rajon, përfshirë Irakun, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Somalilandin.
Fillimisht të konceptuara si pika të mundshme evakuimi në rast emergjence, këto pozicione u zgjeruan gradualisht dhe u shndërruan në baza për operacione ushtarake dhe mbledhje informacioni.
Sipas burimeve, prania e këtyre forcave vendoste Izraelin në kufijtë veriorë, perëndimorë dhe jugorë të Iranit, duke i mundësuar ushtrisë izraelite të zgjeronte ndjeshëm rrezen e veprimit dhe të mbështeste valë të përsëritura sulmesh ndaj objektivave brenda territorit iranian.
Një burim tha se operacioni në Azerbajxhan përfshinte disa dhjetëra trupa, mes tyre pjesëtarë të forcave speciale, njësive elitare të shpëtimit dhe personel të Mossad-it.
Megjithatë, Azerbajxhani ka mohuar kategorikisht raportimin. Në një deklaratë për CNN, ambasada e Azerbajxhanit në Shtetet e Bashkuara tha se “hedh poshtë me vendosmëri pretendimet e pabazuara për përdorimin e territorit të Azerbajxhanit për operacione kundër vendeve të treta”.