5 Qershor, 2026

SHBA do tërhiqet nga plani për raketat Tomahawk në Gjermani

 SHBA do tërhiqet nga plani për raketat Tomahawk në Gjermani

Pentagoni pritet të braktisë planet për vendosjen e raketave lundruese Tomahawk në Gjermani, një vendim që do të përbënte një ndryshim të rëndësishëm në strategjinë amerikane të mbrojtjes në Evropë, raporton Politico duke cituar zyrtarë amerikanë dhe evropianë.

Sipas raportimit, administrata e presidentit Donald Trump po rishikon angazhimet ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Evropë dhe shqyrton reduktimin e disa kapaciteteve që më parë ishin planifikuar të dislokoheshin në territorin gjerman.

Vendimi lidhet me shqetësimet se vendosja e raketave Tomahawk mund të perceptohet nga Moska si një përshkallëzim i drejtpërdrejtë dhe të nxisë kundërmasa nga Rusia.

Një faktor tjetër është gjendja e rezervave amerikane të armëve precize pas operacioneve të fundit ushtarake kundër Iranit. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka paralajmëruar se rikthimi i stokut të raketave Tomahawk dhe Patriot mund të kërkojë “muaj dhe vite”.

Lëvizja shihet si pjesë e një riorientimi më të gjerë të politikës amerikane ndaj NATO-s dhe sigurisë evropiane.

Sipas Politico-s, planet për vendosjen e 5 mijë trupave shtesë amerikane në Gjermani janë anuluar, ndërsa po shqyrtohen edhe reduktime të mundshme të avionëve, dronëve dhe mjeteve detare amerikane në Evropë.

Administrata Trump ka kërkuar vazhdimisht që aleatët evropianë të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre.

Gjermania është ndër vendet më të prekura nga ky ndryshim. Kancelari Friedrich Merz ka pranuar se disponueshmëria e kufizuar e raketave amerikane e bën të pamundur, të paktën për momentin, realizimin e planit.

“Amerikanët nuk kanë mjaftueshëm as për veten e tyre”, është shprehur Merz.

Berlini ka kërkuar të blejë raketa Tomahawk dhe sistemet përkatëse të lëshimit, por sipas ministrit të Mbrojtjes Boris Pistorius, nuk ka marrë ende përgjigje nga Washingtoni.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *