14 Korrik, 2026

Gara e armatimit: Kina provon raketën e re strategjike në Paqësor, alarmohen Australia dhe Japonia

 Gara e armatimit: Kina provon raketën e re strategjike në Paqësor, alarmohen Australia dhe Japonia

Kina testoi të hënën një raketë balistike me rreze të gjatë të lëshuar nga një nëndetëse në Oqeanin Paqësor, në një demonstrim të rrallë publik të kapaciteteve të saj strategjike që ka shkaktuar reagime të menjëhershme nga vendet e rajonit.

Sipas agjencisë shtetërore kineze Xinhua, raketa u lëshua nga një nëndetëse me energji bërthamore dhe mbante një kokë luftarake të simuluar, e cila “goditi me saktësi zonën e paracaktuar”.

Pekini theksoi se testi “nuk ishte i drejtuar kundër ndonjë shteti apo objektivi të caktuar”.

Autoritetet kineze nuk bënë të ditur vendin nga u lëshua raketa apo zonën ku ajo ra.

Testi vjen në një moment të ndjeshëm strategjik, ndërsa Australia ka intensifikuar bashkëpunimin ushtarak me vendet ishullore të Paqësorit, në përpjekje për të kufizuar zgjerimin e ndikimit kinez në rajon.

Australia e cilësoi testin “destabilizues”, ndërsa ministrja e Jashtme Penny Wong tha se ai duhet parë në kontekstin e zgjerimit të shpejtë të kapaciteteve ushtarake kineze.

Edhe Zelanda e Re reagoi ashpër. Ministri i Jashtëm Winston Peters deklaroi se vendi është “thellësisht i shqetësuar” dhe se Paqësori Jugor nuk duhet të përdoret si poligon testimi për raketat kineze.

Japonia njoftoi se i kishte përcjellë Pekinit “shqetësimin serioz” për shtimin e aktiviteteve ushtarake dhe se kishte kërkuar rishqyrtimin e testit sapo ishte njoftuar për të.

Ekspertët besojnë se raketa e testuar mund të ketë qenë JL-3, brezi më i ri i raketave balistike ndërkontinentale kineze të lëshuara nga nëndetëset.

Sipas Pentagonit, sistemi është projektuar për të mbajtur koka bërthamore dhe u jep nëndetëseve kineze aftësinë për të goditur territorin kontinental të Shteteve të Bashkuara pa u larguar shumë nga brigjet kineze.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *