14 Korrik, 2026

Historia e panjohur: Amerikanët e Gjirokastrës

 Historia e panjohur: Amerikanët e Gjirokastrës

Në lagjen tone , Pazar i Vjeter, në fëmijërinë e viteve ’60, në një kohë kur kishim filluar të kuptonim disi si lëviznin e ndryshonin politikat, mburreshim me amerikanët e lagjes: xha Kristaqin e Xhumbit, xha Pilon e Moskos, Gole Kokon,Basho Cilen dhe  amerikanin e Dervicianit që vinte në shtëpinë e Karanxhajve.

Ata dallonin nga burrat e tjerë të lagjes. Visheshin me kostum, ndërsa në kokë mbanin borsalinën që u bënte hije ballit. Nga mënyra e veshjes, sjellja dhe kultura që shfaqnin, na ngjallnin respekt e simpati. I shihnim si njerëz që kishin parë një botë më të madhe se ajo që njihnim ne. Kjo ishte Amerika e Madhe, vendi që përfytyrohej gjithmonë në krye të çdo ngjarjeje, në paqe e në luftë. Edhe në qytetin tonë qarkullonin shprehje për të. Disa thoshin me humor: “Amerikë, ha, merr dhe ik!”, ndërsa burrat e lagjes, kur donin të tregonin se dikush jetonte në bollëk, përdornin shprehjen: “U bë deti kos!”

I gëzuar dhe krenar u ndjeva edhe unë kur në shtëpinë tonë erdhi amerikani i vërtetë. Ishte burri i teze Manthisë, të cilit ne, fëmijët, nisëm t’i thërrisnim xha Pilo.

Edhe më parë, ndonëse fizikisht larg, ai ishte gjithnjë i pranishëm në shtëpinë tonë, ku jetonim me gjyshen dhe tezen. Një herë në tre muaj dërgonte një pako të madhe me ushqime dhe, më rrallë, ndonjë çek me dollarë. Këto ishin ngjarje të veçanta. Shtëpia gjallërohej nga bisedat e gjata dhe pritja kthehej në festë. Gjyshja nuk i përmbante dot lotët e gëzimit. Fytyra i ndriçohej, rrudhat e ballit i zbuteshin dhe, me sytë plot, përsëriste “Rroftë Amerika!”.

Më vonë, kur u fol për luftëra, kufij të mbyllur dhe rrugë të pakalueshme, xha Pilon nisi ta përmendte si një “emër të shuar”, si njeri që “nuk ishte bërë i gjallë”. Nuk e fshihte qejfmbetjen e as zemërimin. Ishte në “armiqësi” me të, por jo me Amerikën. Dhe, në një farë mënyre, nuk ishte faji i saj. E mësuar me filxhanin e kafesë përpara, me vajtje-ardhjet nga pragu i derës deri te avllia, ajo njihte vetëm botën brenda mureve të shtëpisë.

As im atë nuk e ndihmonte ta kuptonte çfarë ndodhte jashtë qytetit e jashtë vendit. Ai rrinte larg politikës së ditës. Rrallë fliste për zhvillimet në botë, përveç ndonjë lajmi që lexonte në faqen e katërt të gazetës ose dëgjonte nga altoparlanti i Radio Gjirokastrës, i vendosur në shtyllën e elektrikut te Qafa e Pazarit.

Gjyshja, në ditë të tilla, Pashke te Madhe e Krishtlindje vecanerisht, priste me padurim ndonjë pako ose çek që t’ia lehtësonte pleqërinë dhe varfërinë. Nuk e fshihte qejfmbetjen për “emer shuarin”, që, sipas saj, kishte harruar gruan, shtëpinë e katandinë.Megjithatë, për gjithë të mirat që i kishin ardhur nga ai vend i largët, nuk harronte kurrë të përsëriste me bindje:”Rroftë Amerika!”

Pak para se të ndahej nga kjo jetë, arriti edhe pakoja e fundit. U gëzua për të gjithë ne të shtëpisë dhe, me buzët e lodhura, si gjithmonë, tha edhe një herë,  shprehjen e  mirënjohjes te lindur nga përvoja e saj:”Rrofte Amerika!” (Marrë nga faqja Gjirokastra Online)

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *