Hungaria, operacion spiunazhi në Bruksel
Një hetim zyrtar i Komisionit Evropian ka konfirmuar se shërbimet hungareze të inteligjencës vendosën agjentë në përfaqësinë diplomatike të Hungarisë pranë Bashkimit Evropian në Bruksel gjatë viteve 2013-2016, ku ata zhvilluan aktivitete që shkonin përtej detyrave të zakonshme diplomatike.
Konfirmimi vjen përmes një letre të komisionerit evropian për Buxhetin dhe Administratën Publike, Piotr Serafin, drejtuar eurodeputetëve, në të cilën thuhet se disa oficerë të inteligjencës operuan nga misioni diplomatik hungarez për një “mision specifik” që nuk lidhej me funksionet normale të përfaqësive diplomatike.
Sipas Komisionit Evropian, aktivitetet nisën në mënyrë diskrete, por u bënë gjithnjë e më të dukshme pas vitit 2015, çka kufizoi efektivitetin e tyre. Institucioni vlerëson se operacioni përfundoi në vitin 2016 dhe nuk shkaktoi ndonjë shkelje serioze të sigurisë së institucioneve evropiane.
Hetimi nuk atribuon përgjegjësi individuale përtej oficerëve të inteligjencës dhe nuk përmend emra zyrtarësh politikë. Megjithatë, periudha përkon me kohën kur përfaqësia hungareze në Bruksel drejtohej nga Olivér Várhelyi, aktualisht komisioner evropian nga Hungaria, i cili ka mohuar vazhdimisht të ketë pasur dijeni për aktivitetet e pretenduara.
Dyshimet për spiunazh u publikuan fillimisht vitin e kaluar nga media investigative hungareze Direkt36, në bashkëpunim me media belge dhe gjermane, të cilat raportuan se inteligjenca hungareze kishte tentuar të rekrutonte zyrtarë evropianë dhe të siguronte dokumente konfidenciale nga institucionet e Bashkimit Evropian.
Sipas Komisionit Evropian, përdorimi i përfaqësive të përhershme të shteteve anëtare si bazë për aktivitete të inteligjencës ndaj vetë institucioneve të Bashkimit Evropian konsiderohet një rast i paprecedentë.