24 Gusht, 2026

Vritet ish-komandanti ukrainas që kishte kaluar në anën ruse

 Vritet ish-komandanti ukrainas që kishte kaluar në anën ruse

Një ish-oficer i Marinës ukrainase, i cili kishte kaluar në anën ruse pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, është vrarë në një shpërthim në Sevastopol, ndërsa lufta Rusi–Ukrainë vijon të godasë edhe objektiva ushtarake dhe infrastrukturore larg frontit.

Robert Shageyev, ish-komandant i nëndetëses së vetme të Ukrainës, “Zaporizhzhia”, u vra të enjten në një sulm me bombë. Kanale ruse në Telegram e përshkruan si dezertor ukrainas. Një grua, shtetase ruse, është arrestuar nën dyshimin se ka organizuar atentatin në emër të shërbimeve speciale ukrainase. Kievi nuk ka komentuar zyrtarisht mbi akuzën.

Në një tjetër incident në Sevastopol, katër specialistë rusë të eksplozivëve dhe një roje sigurie u vranë gjatë përpjekjes për të asgjësuar një pajisje shpërthyese.

Sulm me dron ndaj trenit pasagjerësh

Në rajonin e Odesës, një sulm rus me dron goditi një tren pasagjerësh, duke vrarë dy persona. Sipas autoriteteve ukrainase, viktimat ishin makinisti dhe ndihmësi i tij.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se në tren ndodheshin rreth 340 pasagjerë, duke e cilësuar objektivin si tërësisht civil.

Rafineria ruse ndërpret plotësisht aktivitetin

Ndërkohë, një rafineri nafte në Orsk, në juglindje të Rusisë, është detyruar të mbyllë plotësisht aktivitetin pas dëmeve të shkaktuara nga një sulm ukrainas me dron.

Guvernatori i rajonit Orenburg, Yevgeny Solntsev, tha se copëzat e dronëve dëmtuan infrastrukturën kryesore dhe se riparimi mund të zgjasë deri në gjashtë muaj, pasi pajisjet e nevojshme janë të importuara dhe sanksionet e vështirësojnë zëvendësimin e tyre.

Sulmi ndaj rafinerisë, rreth 1 mijë e 470 kilometra nga Moska dhe pranë kufirit me Kazakistanin, u konfirmua nga ushtria ukrainase të martën.

Lufta po shtrihet gjithnjë e më thellë në territorin rus dhe në Krime, ndërsa sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe objektivave ushtarake po krijojnë pasoja përtej vijës së frontit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *