Kryebashkiaku i Memaliajt: Rama më përjashtoi nga takimi, Kumbaro bllokon investimet për të shkrirë Memaliajn
Kryetari i Bashkisë Memaliaj, Albert Malaj, ka shpërthyer ndaj qeverisë së Edi Ramës, duke denoncuar atë që e quan një përpjekje të organizuar për shkrirjen e Bashkisë Memaliaj.
Malaj pretendon se vendimi po përgatitet në kuadër të Reformës Administrativo-Territoriale dhe ngre pikëpyetje se përse është lënë jashtë takimit ku kryeministri ka mbledhur kryetarët e bashkive që rrezikojnë të shkrihen.
Në reagimin e tij, Malaj akuzon drejtpërdrejt kryeministrin dhe grupin që po harton reformën se po synojnë eliminimin e Memaliajt si njësi më vete.
Ai ngre gjithashtu akuza ndaj ministres Mirela Kumbaro, duke pretenduar se ajo ka bllokuar investimet për bashkinë.
Sipas Malajt, presioni nuk është vetëm në nivel qeveritar, por është shtrirë edhe në Këshillin Bashkiak, ku, sipas tij, po pengohet puna dhe zhvillimi i bashkisë.
“Si ta kuptojmë këtë? E kanë vendosur? Do ta shkrijnë Memaliajn?”, shkruan Malaj, duke e konsideruar mungesën e ftesës si një sinjal se fati i Memaliajt mund të jetë vendosur tashmë.
Kryebashkiaku rikujton edhe paralajmërimin e bërë prej tij në takimin e Gjirokastrës, ku, sipas tij, po vendos “forca e kartonit”.
Përballë kësaj situate, Malaj ka zgjedhur të thërrasë qytetarët në protestë.
“Të dashur qytetarë,
Duket sikur ka një sulm të mirëorganizuar ndaj Bashkisë Memaliaj.
Kryeministri, së bashku me grupin e Reformës Administrativo-Territoriale, duket se po synojnë shkrirjen e Bashkisë Memaliaj.
Mirela Kumbaro po bllokon të gjitha investimet për Bashkinë Memaliaj, duke vendosur veton ndaj ministrive dhe institucioneve. Kjo frymë, sipas nesh, është përcjellë edhe te Këshilli Bashkiak, me qëllim pengimin e investimeve dhe bllokimin e punës së Bashkisë.
Kryeministri ka thirrur në takim kryetarët e bashkive që janë propozuar për t’u shkrirë, për të diskutuar dhe dëgjuar arsyet dhe argumentet e tyre.
Kryetari i Bashkisë Memaliaj nuk është njoftuar për të dhënë argumentet, për t’u dëgjuar dhe për të mbrojtur interesat e Memaliajt.
Si ta kuptojmë këtë? E kanë vendosur? Do ta shkrijnë Memaliajn?
Po ndodh ajo që unë paralajmërova në takimin e Gjirokastrës: vendos forca e kartonit!
Meqenëse ata nuk duan të na dëgjojnë, e vetmja rrugë që na mbetet janë protestat”, shprehet ai.