“Vrima e zezë” e mbrojtjes, Gjermania pa shpjegime për miliardat
Gjermania nuk ka dhënë një pasqyrë të plotë për mënyrën si janë shpenzuar miliarda euro për modernizimin e ushtrisë, raporton Berliner Zeitung.
Sipas raportimit, ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, nuk ka ofruar detaje të qarta mbi përdorimin e rreth 111 miliardë eurove të akorduara për programin e modernizimit të Bundeswehr.
Këto fonde janë pjesë e nismës “Zeitenwende” (pikë kthese), të shpallur në vitin 2022 nga ish-kancelari Olaf Scholz.
Gjatë katër viteve të fundit janë nënshkruar rreth 47 mijë kontrata, mesatarisht rreth 30 marrëveshje në ditë.
Megjithatë, as parlamenti dhe as publiku nuk kanë marrë një pasqyrë të qartë mbi sa nga pajisjet e blera janë dorëzuar realisht apo janë në përdorim.
Raportimi e përshkruan situatën si një “vrimë të zezë financiare” në procesin e riarmatimit të Gjermanisë.
Ministria e Mbrojtjes ka refuzuar dy herë të japë të dhëna të detajuara. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja Natalie Jenning sugjeroi që informacioni të kërkohet në burimet publike të ministrisë.
Ndërkohë, në përgjigje të një pyetjeje parlamentare nga Partia e Majtë, autoritetet argumentuan se ndjekja e centralizuar e shpenzimeve është e vështirë për shkak të volumit të madh të dokumentacionit dhe mund të ndikojë në afatet e projekteve të mbrojtjes.