Gjermania rrit rezervat ushqimore strategjike për kriza të mundshme
Gjermania po zgjeron rezervat kombëtare ushqimore për të përballuar kriza të mundshme në shkallë të gjerë, në një kohë pasigurish globale.
Ministri federal i Bujqësisë, Alois Rainer, njoftoi se qeveria synon të rrisë rezervat emergjente për të mbrojtur popullsinë në raste të papritura.
Aktualisht, Gjermania ruan rezerva strategjike të produkteve bazë si gruri, orizi, tërshëra dhe qumështi pluhur në më shumë se 150 pika të sigurta.
Me strategjinë e re, lista do të zgjerohet me produkte të gatshme për konsum me afat të gjatë, si ushqimet e konservuara.
Një ndryshim i rëndësishëm lidhet me mënyrën e menaxhimit të këtyre rezervave. Përveç magazinave shtetërore, qeveria do të bashkëpunojë me prodhues dhe rrjete tregtare, të cilët do të mbajnë një sasi të detyrueshme rezervash në ambientet e tyre.
Për të shmangur humbjet, produktet që i afrohen afatit të skadencës do të hidhen në treg dhe do të zëvendësohen me stok të ri.
Ministri theksoi se shteti do të mbajë kontroll të rreptë mbi këtë proces, duke hedhur poshtë shqetësimet se sektori privat mund të përfitojë padrejtësisht.
Ky model synon gjithashtu të reduktojë kostot e ndërtimit të magazinave të reja shtetërore.
Vendimi vjen në një moment kur Kombet e Bashkuara dhe World Food Programme kanë paralajmëruar për rritje të pasigurisë ushqimore globale, të ndikuar edhe nga tensionet në Lindjen e Mesme dhe ndërprerjet në rrugët detare si Ngushtica e Hormuzit dhe Deti i Kuq.
Sipas vlerësimeve, këto zhvillime kanë rritur kostot e energjisë, karburanteve dhe plehrave kimike, duke shtuar presionin mbi furnizimin ushqimor në nivel global.