25 Gusht, 2026

VIDEO/ Myrto Uzuni tripletë në Amerikë për 33 minuta, njëri gol më i bukur se tjetri

 VIDEO/ Myrto Uzuni tripletë në Amerikë për 33 minuta, njëri gol më i bukur se tjetri

Myrto Uzuni ka dhuruar një paraqitje spektakolare me fanellën e Austin, duke shënuar të tre golat e fitores 3-0 ndaj Puebla në Leagues Cup.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ishte protagonisti absolut i sfidës së zhvilluar në shtëpi, duke realizuar një tregolësh që i dha skuadrës së tij suksesin në turneun prestigjioz ku përballen ekipet e MLS-së me ato të kampionatit meksikan.

Uzuni e nisi spektaklin që në minutën e 4-t, kur fitoi dhe ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi, duke e dërguar topin në rrjetë dhe duke kaluar Austin në avantazh.

Vetëm tri minuta më vonë, sulmuesi shqiptar goditi sërish. Uzuni u shfaq në zonë në momentin e duhur dhe, pas një depërtimi në qendër, e dërgoi topin në rrjetë për të dyfishuar avantazhin e vendasve.

Por “show”-i i shqiptarit nuk kishte përfunduar. Në minutën e 33-të, Uzuni kompletoi tregolëshin personal me një realizim spektakolar. Pas zhvillimit të një goditjeje këndi, ai goditi fluturimthi dhe e çoi topin në rrjetë, duke vulosur rezultatin 3-0 që në pjesën e parë.

Tre gola në vetëm 33 minuta dhe një paraqitje e jashtëzakonshme për Uzunin, i cili udhëhoqi i vetëm Austin drejt një fitoreje bindëse në Leagues Cup. Ai u shpall në fund njeriu i ndeshjes.

Me këtë performancë, sulmuesi kuqezi konfirmon edhe një herë aftësitë e tij para portës dhe rolin e rëndësishëm që po luan në aventurën amerikane.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *