Tre gjyqtarët që moren peng Aeroportin e Vlorës
Ajo që ka ndodhur me Aeroportin e Vlorës, mund të hyjë në histori si një nga skandalet më të mëdha juridike.
Kjo, pasi tre gjyqtarë, Fatmir Ndreu, Mirjana Shagani dhe Miranda Nakaj, vendosën që të mos njohin pronarin real të këtij Aeroporti, Begjet Pacollin, që ka 98 përqind të aksioneve, por atë që kishte vetëm 2 përqind.
Për fat, Gjykata e Lartë vendosi drejt, por ndërkohë situate në Aeroportin e Vlorës vazhdon të mbetet e bllokuar.
“Që nga tetori i vitit 2025, një sërë vendimesh në formën e masave të sigurimit, të dhëna nga gjyqtarët Fatmir Ndreu, Mirjana Shagani dhe Miranda Nakaj, prodhuan pasoja jashtëzakonisht të rënda për shoqërinë MABCO Construction SA dhe për projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Më pas, Gjykata e Lartë i shfuqizoi këto masa, duke konstatuar se ato ishin në kundërshtim me ligjin. Si pasojë e këtyre vendimeve, MABCO, ndonëse zotëron 98% të kuotave të shoqërisë VIA sh.p.k., u privua për muaj të tërë nga e drejta për të ushtruar kontrollin dhe kompetencat që i takojnë ligjërisht si aksionere shumicë.
Vështirë se mund të gjendet një rast i ngjashëm në praktikën moderne të së drejtës tregtare, ku pronari i pothuajse të gjithë kapitalit të një shoqërie të përjashtohet nga administrimi i saj përmes masave që më pas shpallen të paligjshme nga gjykata më e lartë e vendit. Ky rast meriton të studiohet si një shembull i pasojave që sjell cenimi i sigurisë juridike dhe i të drejtës së pronës.
Këto masa krijuan gjithashtu kushtet që persona të vendosur në administrimin e shoqërisë gjatë kësaj periudhe të vazhdonin bllokimin e punimeve dhe të pengonin hyrjen e specialistëve të MABCO-s dhe të nënkontraktorëve në aeroport. Për muaj të tërë u bllokua përfundimi i një projekti strategjik, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike, financiare dhe reputacionale.
Jam i bindur se për të gjitha dëmet e shkaktuara do të kërkohet përgjegjësi në rrugët ligjore dhe se secili do të mbajë përgjegjësi për veprimet ose mosveprimet e veta, në përputhje me ligjin.
Dalëngadalë po shpërbëhen narrativat e pavërteta që janë ndërtuar gjatë kësaj periudhe. Besimi im tek drejtësia nuk është lëkundur kurrë. Besoj se gjyqtarët e ndershëm dhe institucionet që respektojnë ligjin do të vazhdojnë të bëjnë detyrën e tyre me profesionalizëm dhe paanshmëri.
Drejtësia mund të vonojë, por kur vepron mbi bazën e ligjit dhe të fakteve, ajo triumfon”, thotë Begjet Pacolli.