Temperaturat e larta, burrat lejohen të shkojnë në punë me të shkurtra: Vendimi kundërshtohet nga vajzat dhe gratë
Me rritjen e temperaturave gjatë kësaj vere, gjithnjë e më shumë burra në Japoni po shkojnë në punë me pantallona të shkurtra, pas një nisme të autoriteteve të Tokios për të lehtësuar përballimin e vapës.
Qeveria e Tokios po i inkurajon punonjësit të heqin dorë nga kostumet dhe kravatat tradicionale, duke zgjedhur veshje më të rehatshme si bluza, atlete dhe pantallona të shkurtra, raporton BBC.
Guvernatorja e Tokios, Yuriko Koike, e prezantoi në muajin prill nismën “Tokyo Cool Biz”, duke zgjeruar fushatën e njohur për kursimin e energjisë dhe përshtatjen me temperaturat e larta, e cila tashmë është bërë traditë verore në Japoni.
Megjithatë, gati katër muaj pas hyrjes në fuqi të rekomandimit, politika e re ka nxitur reagime të ndryshme.
Disa punonjës e mirëpresin ndryshimin, duke thënë se ndihen më rehat në vendin e punës, ndërsa të tjerë e konsiderojnë të padrejtë ndaj grave, pasi ato ende pritet të mbajnë geta kur ekspozojnë një pjesë të këmbëve.
Madje, disa gra kanë përdorur termin “sunehara”, për të përshkruar sikletin që ndjejnë kur shohin këmbët e kolegëve meshkuj.
Një anketë e realizuar në qershor nga “Gorilla Clinic” tregoi se 53.5 përqind e të anketuarve ishin kundër veshjes së pantallonave të shkurtra në punë gjatë verës, ndërsa 46.5 përqind e mbështesnin rekomandimin.
Drejtori i “Gorilla Clinic”, bëri me dije se ka vërejtur rritje të numrit të burrave që kërkojnë heqje me laser të qimeve në këmbë.