Bazat ushtarake bëhen fronti i ri i luftës me Iranin
Katër ushtarakët amerikanë të vrarë ditët e fundit gjatë përshkallëzimit të konfliktit me Iranin shërbenin të gjithë në njësitë e mbrojtjes ajrore, duke ilustruar një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si po zhvillohet lufta në Lindjen e Mesme.
Ndryshe nga luftërat në Irak dhe Afganistan, ku shumica e viktimave amerikane regjistroheshin gjatë patrullimeve tokësore apo lëvizjes së autokolonave, tani humbjet po ndodhin mes ushtarakëve që mbrojnë bazat nga sulmet me raketa balistike dhe dronë, shpesh qindra kilometra larg territorit iranian.
Sipas një zyrtari ushtarak amerikan, që citohet nga Washington Post, Irani ka lëshuar rreth 8 mijë e 500 raketa dhe dronë drejt objektivave në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit. Rreth 100 prej tyre kanë arritur të depërtojnë përmes sistemeve të mbrojtjes amerikane dhe të aleatëve.
Eksperti i sigurisë Brad Bowman, ish-ushtarak amerikan, tha se zhvillimet e fundit kanë rritur ndjeshëm presionin mbi njësitë e mbrojtjes ajrore.
“Këto njësi janë detyruar të marrin përgjegjësi të reja”, tha ai, duke shtuar se përdorimi masiv i dronëve, inteligjencës artificiale dhe armëve të prodhuara në shkallë të gjerë po e bën shumë më të vështirë mbrojtjen e bazave amerikane.
Në Jordani, nëntogerja Isabella Gonzales, 19 vjeçe, dhe toger Tyler James Feehan, 25 vjeç, humbën jetën pasi një raketë iraniane goditi bazën ajrore Muwaffaq Salti. Pentagoni njoftoi më vonë se edhe rreshteri Angel S. Rampersad, i cili fillimisht rezultonte i zhdukur, besohet të ketë humbur jetën në të njëjtin sulm.
Ndërkohë, në Irak, rreshteri Michael Emmanuel Swinton, 30 vjeç, u vra në bazën ajrore të Erbilit gjatë një operacioni për shpërthimin e kontrolluar të një droni iranian të rrëzuar.
Komandanti i tij, gjeneral-lejtnant John L. Rafferty, deklaroi se Swinton humbi jetën “gjatë një operacioni për të mbrojtur ushtarët e tjerë”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, sugjeroi se mbrojtja ajrore në Jordani mund të mos ishte administruar nga personeli amerikan, duke lënë të kuptohet se kjo mund të ketë ndikuar në pasojat e sulmit.
“Nëse do të kishim pasur operatorët tanë, kjo nuk do të kishte ndodhur. Kur ua lë të tjerëve të bëjnë punën tënde… ndonjëherë gjërat nuk shkojnë mirë”, u tha Trump gazetarëve.
Vdekjet e fundit kanë rikthyer në qendër të debatit sigurinë e bazave amerikane në Lindjen e Mesme.
Sipas ushtarakëve që kanë shërbyer në rajon, shumë prej këtyre bazave nuk janë ndërtuar për t’i rezistuar sulmeve të vazhdueshme me raketa balistike dhe dronë, pasi gjatë luftërave të mëparshme në Irak dhe Afganistan ato shërbenin kryesisht si qendra mbështetëse dhe jo si objektiva të drejtpërdrejta.
Megjithëse Pentagoni kishte zhvendosur një pjesë të forcave nga bazat më të mëdha në pritje të hakmarrjes iraniane, sulmet e Teheranit janë shtrirë në një gamë shumë më të gjerë objektivash, duke goditur baza të mëdha e të vogla, infrastrukturë civile dhe duke paralajmëruar se do të sulmojë çdo vend që mbështet operacionet ushtarake të Shteteve të Bashkuara.