12 Shtator, 2026

“Të moshuarit aq dinë, aq bëjnë” – Deklarata përçmuese e deputetit Erald Kapri

 “Të moshuarit aq dinë, aq bëjnë” – Deklarata përçmuese e deputetit Erald Kapri

Nga Drini Nikolla

A kjo është gjuha që të jep shpresë?

Në një komunikim online (fb), deputeti Erald Kapri, duke folur për situatën politike në vend, deklaroi se “kemi dy Shqipëri të ndryshme”. Sipas tij, në njërën anë janë “të moshuarit, patronazhistët, ata që kanë interesa me pushtetin, oligarkët”, ndërsa në anën tjetër janë “të rinjtë e vendit që protestojnë”.

Por ajo që e bën edhe më problematik këtë ligjërim është fjalia e tij: “Të moshuarit aq dinë, aq bëjnë.” Postimin e shoqëroi edhe me diçiturën: “A do zgjedhim të jemi me të rinjtë për një Shqipëri të drejtë, me të ardhme apo do e përçmojmë rininë dhe do e kthejmë këtë vend në një azil të madh?”

Këtu nuk kemi më thjesht një kritikë ndaj qeverisë apo një përpjekje për të mobilizuar të rinjtë. Kemi një ndarje të rrezikshme të shoqërisë sipas moshës dhe, më shqetësuesja, një përçmim të hapur të të moshuarve.

Shprehja “aq dinë, aq bëjnë” nuk është thjesht një frazë e pafat. Ky është një gjykim përçmues ndaj një brezi të tërë. Ky i mohon atij brezi dijen, përvojën, profesionin, sakrificat, kontributin dhe, mbi të gjitha, të drejtën për të menduar ndryshe. Sikur vlera e njeriut të matet me vitet që ka mbi supe.

Por kush janë këta “të moshuar”?

Janë prindër, gjyshër, mësues, mjekë, inxhinierë, punëtorë, sipërmarrës, profesionistë; njerëz që kanë punuar e sakrifikuar për dekada dhe kanë kontribuar në rritjen e brezit që sot quhet “e ardhmja”.

Midis tyre ka edhe kundërshtarë të pushtetit, edhe mbështetës të tij, edhe njerëz që nuk merren fare me politikë. T’i fusësh të gjithë në një thes me “patronazhistët” dhe “oligarkët” vetëm për shkak të moshës është jo vetëm e padrejtë, por një arrogancë e papranueshme politike.

Edhe të rinjtë nuk kanë nevojë të vendosen kundër prindërve e gjyshërve të tyre për të pasur një të ardhme më të mirë. Një Shqipëri moderne nuk ndërtohet duke shpallur një brez të mirë dhe një tjetër të paaftë.

Të rinjtë kanë energjinë; të moshuarit kanë përvojën. Shqipëria ka nevojë për të dyja.

Prandaj pyetja nuk është vetëm nëse duhet ndryshuar qeveria. Pyetja është çfarë kulture politike do të sjellin ata që kërkojnë ta zëvendësojnë atë.

Nëse për të marrë pushtetin duhet të përçmohet një pjesë e shoqërisë, atëherë çfarë ndryshimi po premtohet?

Ndryshimi i vërtetë nuk fillon me “të moshuarit aq dinë, aq bëjnë”. Fillon me respektin për çdo shqiptar, të ri apo të moshuar dhe me bindjen se Shqipëria nuk është pronë e asnjë brezi, partie apo pushteti.

Një politikë që i vë të rinjtë përballë të moshuarve nuk po ndërton një Shqipëri të re. Po ndërton një Shqipëri të ndarë.

Dhe një vend i ndarë sipas moshës, bindjeve apo interesave nuk ka nevojë për më shumë përçmim. Ka nevojë për më shumë respekt, më shumë përgjegjësi dhe më shumë vizion.

Prandaj, zoti deputet, pyetja mbetet:

A kjo është vërtet gjuha që të jep shpresë?

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *