Patronazhisti i PS-së: militant partie apo “spiun lagjeje- 80 lekësh i sigurimit të shtetit”?
Nga Mirlinda Çollaku
Një funksionar i PS-së deklaronte në një debat televiziv se patronazhisti e njeh mirë “armikun” dhe se nuk është aspak e lehtë të jesh patronazhist.
Vetëm kjo fjalë — “armik” — tregon shumë për mentalitetin që fshihet pas këtij sistemi.
Në një demokraci, qytetari që mendon ndryshe nuk është armik. Është thjesht qytetar me një bindje tjetër politike.
Nuk ka asgjë të keqe të jesh militant partie dhe të përpiqesh të bindësh qytetarët të votojnë për forcën politike që mbështet. Edhe PD-ja shkon derë më derë gjatë fushatave dhe përpiqet t’u shpjegojë qytetarëve pse Rama nuk duhet votuar apo pse PD-ja është alternativa më e mirë.
Kjo quhet fushatë politike. Është normale dhe është pjesë e demokracisë.
Problemi me patronazhizmin është tjetër.
Kur qytetari monitorohet, kur mblidhen dhe përdoren të dhëna personale për bindjet e tij politike, kur raportohet se kush shkon në protestë, kush bën “like” një lajm kundër qeverisë, kush takohet apo pi kafe me një demokrat, atëherë nuk kemi më të bëjmë thjesht me një militant partie.
Kur mbi qytetarin ushtrohet presion përmes vendit të punës, kontrolleve administrative apo formave të tjera të intimidimit, sepse ai mendon ndryshe, kemi të bëjmë me kontroll politik dhe frikësim.
Dhe pikërisht këtu qëndron ngjashmëria e frikshme me mentalitetin e Sigurimit të Shtetit gjatë diktaturës.
Edhe atëherë, ai që mendonte ndryshe trajtohej si “armik”.
Nuk ishte thjesht kundërshtar politik. Ishte “armik i pushtetit”. Dhe për këtë arsye duhej survejuar, raportuar, kontrolluar dhe, nëse ishte e nevojshme, ndëshkuar.
Këto nuk janë metoda të një demokracie moderne. Janë metoda të një mentaliteti të vjetër politik, të përdorura në diktaturë për të kontrolluar shoqërinë përmes frikës, spiunimit dhe presionit.
Prandaj, kur një funksionar thotë me krenari se patronazhisti duhet ta njohë mirë “armikun”, pyetja është e thjeshtë:
Kush është armiku?
Një qytetar që voton opozitën?
Një qytetar që del në protestë?
Një qytetar që bën “like” një shkrim kritik ndaj qeverisë?
Një qytetar që pi kafe me një demokrat?
Në një demokraci, asnjëri prej tyre nuk është armik.
Prandaj, i dashur socialist, nuk bëhen dot të gjithë patronazhistë.
Jo vetëm sepse ligji nuk duhet shkelur, por sepse mbi të gjitha ekziston diçka që nuk blihet dhe nuk shitet kaq kollaj:
DINJITETI.
Të jesh militant partie është bindje politike.
Të bindësh një qytetar të votojë për partinë tënde është demokraci.
Por të survejosh, të raportosh dhe të përdorësh pushtetin kundër tij sepse mendon ndryshe, është mentaliteti i “spiunëve të lagjes”.
Dhe kjo është pikërisht ajo që duhet të kishte mbetur pas bashkë me metodat e diktaturës.
Sepse Shqipëria e vitit 2026 nuk mund të ndërtohet mbi frikën e djeshme.
Kush mendon ndryshe nuk është armik. Është qytetar.