Vjedhja e fondeve të shtetit: Të abuzosh edhe me të sëmurët mendorë
Drejtues i ri i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, Jonaid Myzyri, një emër që është lakuar shpeshherë gjatë kohës që ka drejtuar Komisionin e Prokurimit Publik, po vijon të njëjta “bëma” edhe në OBP, një institucion në varësi direkte të Këshillit të Ministrave, i krijuar për të centralizuar tenderat dhe për ti kanalizuar ato në firma të preferuara. Caktimi i Myzyrit në atë pozicion ngriti shumë pikëpyetje, duke qenë se vetë zyrtari në fjalë vinte nga një eksperiencë me hetimet e Prokurorisë së Posaçme, e cila e mori nën hetim por që çuditërisht dosja u mbyll, ndërkohë që disa kallëzime të tjera janë ende në verifikim e sipër.
Por, gjatë këtyre muajve të parë, redaksia e Vox News ka analizuar dhjetëra procedura të kryera nga Operatori i Berjeve të Përqendruara, tepër të dyshimta dhe me vendime që ngjallin shumë dyshime, duke qenë se vetë Myzyri është mësuar me prapaskena. Madje ai arrin që të ndryshojë që në APP fituesin, njëherë duke shpallur X firmë dhe më vonë, me ankesa që vetëm ai i di, shpall fitues kompaninë Y, megjithëse ofron më shumë, duke i shkaktuar shtetit një dëm shumë të madh ekonomik.
Në këto radhë do të ndalemi e të një tjetër procedurë tepër e dyshimtë dhe që, nëse hetohet ose verifikohet nga institucionet ligjzbatuese, mund të ketë edhe vepër penale. Tenderi i radhës që ka finalizuar ditët e fundit Myzyri ka qenë ai i pastrimit të ambienteve të Spitalit Psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë, ku vetëm me një të rënë të lapsit, ai ka arritur që të shkojë te oferta e 5-të më e lartë në atë garë, duke snobuar 4 ofertat më të ulta, duke i skualifikuar të gjitha.

Faksimile: Shpallja e fituesit të tenderit të pastrimit për Spitalin Ali Mihali në Vlorë
Sipas dokumenteve që disponon Vox News, Jonaid Myzyri ka bërë “gjëmën” e radhës, teksa për tenderin në fjalë, atij nuk i kanë bërë përshtypje as diferenca prej 200 mijë eurosh nga oferta më e ulët te ajo fituese. Sërish përdori mekanizma të dyshimtë, duke i skualifikuar nga gara, ndërkohë që kriteret e vendosura në tender janë shumë në favor të fituesve dhe jo atyre që ofrojnë më pak, pavarësisht se nëse do t’i analizojmë firmat, janë me të njëjta eksperienca apo me stafe.
Tenderi ka qenë mjaft kompleks, i zgjatur në kohë, teksa ish drejtuesja Arlinda Pogaj ka hezituar për vite me radhë për të firmosur mbi këtë procedurë, duke qenë se çështja shkoi deri në gjykatë, pikërisht nga firmat që ofruan më pak. Madje, kishte ankime e kundërankime, teksa edhe Myzyri ka qenë në dijeni për të gjitha, pasi para se të merrte këtë post, ka qenë në Komisionin e Prokurimit Publik dhe ai e vartësit e tij e kanë gjykyar këtë procedurë.
Megjithatë koha kaloi dhe ai ka vënë firmën në procedurën “shërbim pastrimi i ambjenteve të brendshme dhe të jashtme, për nevoja të Spitalit Psikiatrik ‘Ali Mihali’, Vlorë”, me fond limit 135 milionë lekë.

Faksimile: Fitues i tenderit për pastrimin e Spitalit Psikiatrik “Ali Mihali” u shpall firma e 5-të që ofroi më shumë
Vox News ka shfletuar dokumentet e këtij tenderi, ku rezulton se ofertën më të ulët e ka bërë kompania “Air”, me vlerë 92,9 milionë lekë. Më pas, ofertat vijonin me 101 milionë, “REJ” me me vlerë 101.9 milionë, “Silver” 107 milionë e duke shkuar te oferta e 5-të, e shpallur edhe fituese.
Fitues sipas Operatorit të Blerjeve të Përqendruara u shpall kompania “CLEAN FAST” me një vlerë prej 113 milionë lekësh, teksa nëse do t’a krahasojmë me ofertën më të ulët në këtë tender, diferenca shkon në mbi 200 mijë euro. Një shumë e konsiderueshme, teksa në të kaluarën kemi parë nga dosjet e SPAK-ut se kjo diferencë përdoret shpesh për manovra të tjera jo ligjore.
Vlera konsiston në rreth 20 % të tenderit, teksa në të kaluarën një shumë e tillë përdorej për të joshur edhe zyrtarët për t’u dhënë tendera apo leje ndërtimi, ndërkohë që në ditët e sotme gjërat kanë evoluar, teksa kemi parë se zyrtarët s’marrin më zarfe në dorë, por marrin aksione, vila, apartamente, madje edhe jashtë Shqipërisë. (Vox News)