25 Gusht, 2026

Kaq budallenj jemi ne shqiptarët?

 Kaq budallenj jemi ne shqiptarët?

Nga Lutfi Dervishi

Dy mijë vjet mësime dhe ende nuk kemi mësuar!

1.Pershtajta me natyrën

Kur romakët ndërtuan rrugën Egnatia, aty ku ishte e mundur, ndoqën rrjedhën e lumit dhe nuk tentuan ta përshtatnin Shkumbinin me projektin e tyre. Sot po bëjmë të kundërtën.

2.Porti historik i vendit

Grekët dhe romakët nuk e zgjodhën rastësisht Durrësin. Epidamni-Dyrrahu ishte port i rëndësishëm që nga shekulli VII p.e.s. dhe më vonë u bë pikënisja e rrugës Egnatia. Durrësi lindi e u rrit si qytet prá prej portit. Sot, ne po e çmontojmë atë.

3.Të moçmit ndërtonin në kodra

Mjafton të shohësh shpërndarjen historike të vendbanimeve: kodra, shpate, tarraca natyrore e vende të mbrojtura. Poshtë liheshin tokat pjellore dhe zonat që përmbyteshin. Në kodër ishe i mbrojtur, me ajrim të mirë e kullim natyror. Sot ku gjejmë shesh, bëjmë përshesh.

4.Lumit nuk i merrej prona

Fushat aluvionale janë krijuar pikërisht sepse lumenjtë kanë dalë nga shtrati dhe kanë depozituar sedimente gjatë shekujve. Kur i grabit pronën lumit, një ditë ai do ta marrë, pa të njoftuar dhe pa të paraqitur certifikatën e pronësisë.

5.Urat shekullore

Ura e Mesit mbi lumin Kir është shembull i shkëlqyer: 108 metra e gjatë, me 13 harqe. Harqet nuk ishin dekor; ato lejonin kalimin e lirë të ujit kur rriteshin prurjet. (Urat u ndërtuan pa tender!)

6.Qytetet e dinin çfarë ishte hija. Orientimi i ndërtesave, oborret, pemët, muret e trasha dhe materialet natyrore ishin përgjigja ndaj klimës përpara se të shpikeshin kondicionerët.

Edhe kur planifikohej kryeqyteti në shekullin e kaluar, arkitektët kishin parasysh korridoret e ajrit dhe lëvizjen e Diellit. Sot kemi lagje që nuk shohin kurrë dritë, ku betoni po i merr frymën qytetit.

7.Toka si pasuri

Nga veriu në jug, toka bujqësore trajtohej si pasuri e rrallë, jo si territor ndërtimi. Pa ekskavatorë e pa betonarme, njerëzit vëzhgonin me kujdes ku kalonte lumi, ku rrëshqiste mali, nga frynte era dhe ku ishte toka më pjellore.

Sot kemi teknologji shumë më të zhvilluar se romakët, bizantinët e osmanët, por po shkatërrojmë të vetmen vatër që kemi për të jetuar.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *