21 Tetor, 2026

Ta mbash Ramën, duke dashur ta rrëzosh

 Ta mbash Ramën, duke dashur ta rrëzosh

Nga Adelina Shehu

Trembëdhjetë vite në pushtet do të mjaftonin që shumë qytetarë të një shoqërie demokratike të votonin kundër edhe një qeverie të mirë. Sepse do të mendonin se ajo ka pasur kohë të mjaftueshme për të realizuar idetë, planet dhe premtimet e saj. Ose nuk i ka përmbushur, sepse nuk i ka marrë seriozisht apo nuk ka pasur aftësinë t’i realizojë.

Por qeveria e Edi Ramës nuk i ka lënë shqiptarët vetëm me këtë arsye për ta votuar kundër. Nëse për shumëçka është treguar dorështrënguar, në këtë pikë ka qenë bujare.

Nga çështja Tahiri te afera e inceneratorëve, ku janë përfshirë emrat e Lefter Kokës dhe Arben Ahmetajt, nga koncesioni i sterilizimit dhe çështjet penale ndaj Ilir Beqajt, te hetimet për tenderët e infrastrukturës dhe akuzat ndaj Belinda Ballukut e deri tek Vlora Hyseni.

Të gjitha këto janë arsye për pakënaqësi dhe, njëkohësisht, arsye për protestë. Qoftë në protestën e flamingove paqësore, qoftë në këtë të flamingove të lëna tre muaj pa ushqyer, që deri dje qëndronin urtë dhe sot duken të gatshme të hanë gjithçka u del përpara.

Por, duke parë protestat e këtyre ditëve në Tiranë, mendja më thotë se diçka krejt ironike po ndodh. Dhe nuk e përjashtoj mundësinë që mënyra se si po zhvillohen ngjarjet t’i shërbejë politikisht Ramës.

Nëse adoleshentë arrijnë të mbledhin gurë e shkopinj nëpër lagjet e Tiranës dhe të lëvizin me to drejt vendeve të përplasjes, lind pyetja se përse policia nuk arrin të parandalojë në kohë veprimet e dhunshme. Përse ndërhyrja duket se përqendrohet te përballja në shesh gjatë natës, në vend të parandalimit të shkatërrimeve aty ku nisin?

A kemi të bëjmë me vështirësi në menaxhimin e situatës, apo me një tolerim të dhunës që, me ose pa qëllim, mund t’i sjellë përfitim politik pushtetit?

Nëse qytetarët që kanë arsye për të protestuar portretizohen përgjithësisht si vandalë që kërkojnë të shkatërrojnë qytetin, ky imazh mund të ndikojë edhe te ata që ndajnë të njëjtat pakënaqësi ndaj qeverisë, por që i druhen dhunës dhe pasigurisë.

Ngjashmëria e protestave në Tiranë me ato që kemi parë në vende europiane është shqetësuese. Jo vetëm për shkak të dhunës, por për filozofinë e veprimit radikal.

Veprime që identifikohen me Antifën në Francë dhe në vende të tjera europiane mund t’i shërbejnë, në fund, më shumë Izraelit sesa kauzës që pretendojnë të mbrojnë.

Ngritja e flamurit palestinez mbi ndërtesa të djegura e të shkatërruara gjatë protestave është fiks imazhi që Izraeli do që bota perëndimore të ketë për Palestinën.

Unë mendoj se pamje të tilla mund t’i ndihmojnë përpjekjet e qeverisë izraelite për t’i bindur aleatët perëndimorë se politikat e saj ndaj palestinezëve janë të justifikuara.

Nëse kjo është thjesht një pasojë e padëshiruar apo diçka më shumë, mbetet për t’u parë.

Një mekanizëm i ngjashëm mund të jetë duke vepruar edhe në Shqipëri.

Pavarësisht nëse dhuna në protesta është apo jo e nxitur apo e toleruar qëllimisht, Edi Rama mund të përfitojë politikisht prej saj. Në vend që debati të përqendrohet te bilanci i qeverisjes dhe skandalet e saj, vëmendja zhvendoset te frika nga ajo që mund të vijë pas tij.

Mesazhi që mund të marrë qytetari është i thjeshtë: «Mund të keni shumë arsye për të më votuar kundër, por shikoni çfarë mund t’ju presë nëse unë largohem!»

Pas trembëdhjetë vitesh qeverisjeje dhe arsyeve për ndryshim, mund të ndodhë që Edi Rama të mos ketë më nevojë t’i bindë shqiptarët se ka qeverisur mirë, por thjesht t’i bindë se alternativa kundër tij është ajo që po shihet sot sheshit.

Kështu, protesta që synon largimin e tij mund të kthehet në të vetmen arsye që dikush mund të votojë për ta mbajtur ende në pushtet.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *