Spiropali nuk kërkon ndryshim lideri, kërkon ndryshim sistemi
Nga Klementin Mile
Në politikë, deklaratat më të rëndësishme nuk janë ato që sulmojnë ndokënd, por ato që ndryshojnë rregullat e lojës.
Mocioni që Elisa Spiropali publikoi sot nuk është rebelim ndaj Edi Ramës. Nuk është as përpjekje për rotacion lidershipi në Partinë Socialiste. Ai është diçka më radikale: sfidë ndaj modelit politik që ka dominuar Shqipërinë që prej marrëveshjes kushtetuese Rama-Berisha të vitit 2008.
Pikërisht kjo është pesha reale e dokumentit të Spiropalit.
Për herë të parë nga brenda mazhorancës artikulohet hapur ideja se sistemi që prodhoi stabilitet, nuk prodhon më përfaqësim. Se pushteti duhet të vetëkufizohet. Se partitë duhet të demokratizohen. Se institucionet duhet të jenë më të forta se individët. Se dialogu duhet të zëvendësojë monologun.
Ky nuk është sulm ndaj liderit. Por është përpjekje për ta zhvendosur burimin e legjitimitetit politik nga individi te institucioni, nga autoriteti personal te rregullat demokratike.
Edhe mënyra si është ndërtuar teksti i mocionit flet shumë. Pa akuza personale, pa emra, pa përplasje direkte. Kritikon modelin, jo arkitektin e tij. Kjo e bën dokumentin politikisht shumë më të sofistikuar se një deklaratë opozitare.
Edhe protesta nuk trajtohet si fenomen armiqësor. Ajo interpretohet si sinjal që sistemi duhet ta dëgjojë, jo si zhurmë që duhet heshtur. Ky është ndryshim i rëndësishëm në gjuhën politike të Partisë Socialiste.
Por testi i vërtetë nuk është publikimi i mocionit. Për Spiropalin testi fillon tani.
Nëse mbetet vetëm një tekst i bukur, ai do të shërbejë si pozicionim personal i saj. Nëse shndërrohet në proces real reformash, atëherë mund të shënojë fillimin e një faze politike të re.
Sepse ky dokument nuk vë në pikëpyetje se kush duhet ta qeverisë Shqipërinë. Në fakt, ai ngre një pyetje tjetër, shumë më të rëndësishme: a mos ka ardhur koha që të ndryshojë edhe vetë mënyra si ushtrohet pushteti në këtë vend?