Si u kthye Kupa e Botës 2026 në ‘makinerinë’ më të madhe të parave në sport
Kupa e Botës 2026 nuk ka thyer vetëm rekorde sportive. Ajo pritet të hyjë në histori si eventi i parë sportiv që gjeneron mbi 10 miliardë dollarë të ardhura, duke e shndërruar FIFA-n në organizatën sportive me fitimet më të mëdha nga një kompeticion i vetëm.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, kishte parashikuar prej kohësh se të ardhurat e Botërorit 2026 do të ishin pothuajse dyfishi i atyre të “Katarit 2022”. Tani, me turneun drejt finales mes Spanjës dhe Argjentinës, ky objektiv është pranë realizimit.
Nga 5.8 në 10 miliardë dollarë
Botërori i “Katarit 2022” i solli FIFA-s rreth 5.8 miliardë dollarë të ardhura, një rekord absolut në atë kohë.
Por edicioni 2026, i organizuar në SHBA, Kanada dhe Meksikë, pritet ta çojë këtë shifër në 10 miliardë dollarë, duke vendosur një standard të ri në industrinë globale të sportit.
Sipas ekspertëve, as Lojërat Olimpike nuk afrohen më me potencialin ekonomik të Kupës së Botës. Olimpiada e “Parisit 2024” gjeneroi pak më shumë se 5 miliardë dollarë, ndërsa Euro 2024 në Gjermani solli rreth 2.9 miliardë dollarë.
SHBA, arma sekrete e FIFA-s
Një nga arsyet kryesore të këtij suksesi financiar është fakti se 78 nga 104 ndeshjet u zhvilluan në Shtetet e Bashkuara.
Tregu amerikan lejoi: çmime rekord për biletat; sponsorizime shumë më të mëdha; kontrata televizive më fitimprurëse; shitje masive të paketave VIP.
Mbi 6 milionë tifozë kanë ndjekur ndeshjet nga stadiumet, ndërsa FIFA parashikon që vetëm nga biletat dhe paketat e mikpritjes të arkëtojë rreth 3.5 miliardë dollarë, trefishi i rekordit të mëparshëm.
Sponsorët paguan shifra marramendëse
Botërori 2026 u kthye në një magnet për markat globale.
Përveç partnerëve tradicionalë si Adidas, Coca-Cola, Visa, Hyundai dhe Aramco, FIFA siguroi sponsorë amerikanë si Bank of America dhe McDonald’s, me kontrata që arrijnë deri në 100 milionë dollarë secila.
Ekspertët e marketingut sportiv e konsiderojnë Kupën e Botës si produktin më të vlefshëm në botë.
“Është një mega-event global që nuk ka asnjë rival. As Olimpiada dhe as Super Bowl nuk i afrohen ndikimit të Kupës së Botës”, vlerësojnë specialistët e industrisë.
Televizioni mbetet “mina e arit”
Burimi më i madh i të ardhurave vazhdon të jetë shitja e të drejtave televizive.
Për ciklin 2023-2026, FIFA pret të arkëtojë rreth 5.2 miliardë dollarë, ndërsa objektivi për periudhën 2027-2030 është që kjo shifër të kalojë 6 miliardë dollarët.
Në SHBA interesi shpërtheu, me ndeshjen e kombëtares amerikane ndaj Belgjikës që u ndoq nga 30 milionë shikues, rekord historik për futbollin në vend.
Botërori po bëhet gjithnjë e më i madh
Zgjerimi nga 32 në 48 skuadra dhe rritja nga 64 në 104 ndeshje ka krijuar më shumë inventar për sponsorët, televizionet dhe shitjen e biletave.
Madje, Infantino nuk e ka përjashtuar mundësinë që Botërori 2030 të zgjerohet edhe në 64 kombëtare, çka do ta çonte numrin e ndeshjeve në 128.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se një zgjerim i mëtejshëm mund të ulë interesin sportiv, edhe pse do të rriste fitimet.
Sfida e radhës: Botërori 2030
Pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm ekonomik, FIFA e di se do ta ketë të vështirë të përsërisë të njëjtat shifra në Botërorin 2030, që do të zhvillohet kryesisht në Marok, Portugali dhe Spanjë.
Tregu amerikan konsiderohet unik për fuqinë blerëse, sponsorët dhe çmimet e larta të biletave.
Megjithatë, FIFA beson se popullariteti global i futbollit vazhdon të rritet dhe synon që në ciklin e ardhshëm katërvjeçar të gjenerojë edhe 1 miliard dollarë më shumë se në periudhën aktuale.
Botërori nuk është më vetëm turneu më i madh i futbollit. Ai është shndërruar në produktin sportiv më të fuqishëm ekonomik në planet, duke lënë pas çdo event tjetër për nga ndikimi financiar, audienca dhe interesi global.