21 Maj, 2026

Spiropali dhe Salianji: Kur dëshira të bëhet “lajm i fundit”

 Spiropali dhe Salianji: Kur dëshira të bëhet “lajm i fundit”

Nga Hysni Gurra

Elisa Spiropali duket se po kopjon Ervin Salianjin. Ka nisur takime në zonën e saj elektorale me socialistët, gjë që po përkthehet si sfidë ndaj Edi Ramas.

Një gjë e tillë po ndodh në PD prej disa kohësh me Ervin Salianjin. Një personazh me të cilin PD-ja është treguar shumë bujare, si në dhënien e posteve, ashtu edhe në shpalljen hero pas një dënimi e burgosjeje për arsye banale, shumë e vështirë për t’u martirizuar apo bërë hero politik. Derisa vendimi penal ka qenë sajesë dhe inskenim i një audiopërgjimi. Po ç’rëndësi ka? Edhe në pastë pasur të drejtë Ervini, pikërisht nga ai videopërgjim vetëm dy veta përfituan në Partinë Demokratike: i pari Lulzim Basha, i dyti — përfitues edhe më shumë se Luli — ishte Ervini.

Kjo ka qenë e vetmja punë politike që e ka bërë të njohur atë te mbështetësit e partisë së tij, por edhe më gjerë, sepse deri atëherë njihej si shok i Sadri Abazit.

Elisa Spiropali, nga ana tjetër, ka një rrugëtim disi të ngjashëm me Ervinin. Me denoncimet kur ishte në opozitë, ato vajtjet në minierën e Bulqizës (kush i mban mend), grevën e urisë dhe më pas lavdet e pashembullta ndaj Ramës.

Ndërsa Ervini dukshëm ka ndërmarrë një inkursion politik që e çon vetëm në ndonjë pozicion si ai i Dash Sulës, Elisa mbetet shumë e paqartë se ku mund ta çojë ky inkursion.

Megjithatë, të dy ia vlen t’i komentosh për të kuptuar pse pushteti i liderëve të fortë politikë, qoftë te PS, qoftë te PD, mbetet i parrezikuar këto dekadat e fundit. Por edhe për të nxjerrë në pah një të vërtetë, atë se sa vend qesharak jemi ne, ku një dëshirë, “dua të bëhem kryetar”, të bëhet lajm në të gjitha mediat.

Kur dëgjon Salianjin, i cili thotë se do Partinë Demokratike — të djathtën, domethënë — çuditesh. Ka zero teza politike të djathta. Sigurisht, edhe me jetesë personale nuk i përmbush, qoftë edhe formalisht.

Për shembull, sulmon lidershipin e partisë, kinse ata nuk sulmojnë biznesmenët, kur baza e asaj partie duhet të jenë biznesmenët. Salianji flet sikur është duke kërkuar partinë e Arlind Qorit. Nuk ka një tezë, për shembull, se ç’mendon ai për pronën. Apo nuk thotë, fjala vjen, cila është ideja e tij politike që do ta bënte PD-në një parti më shumë të djathtë se ç’është. P.sh., tezë politike është që: Berisha e ka anëtarësuar PD-në në EPP; unë do ta nxjerr, do ta çoj më djathtas, do ta anëtarësoj në grupin e partive si ajo e Le Pen, Meloni apo AfD-ja. Ose nuk ka dalë, për shembull, të atakojë lidershipin e PD-së se nuk po merret mjaftueshëm me familjen, kombin — pra disa gjëra bazike ideologjike të kësaj partie — për të thënë që këta nuk i kanë bërë mirë dhe unë do t’i bëj më mirë. E vetmja retorikë politike e tij është: “Dua dhe unë të bëhem njëherë kryetar” — dëshirë që mund ta ketë çdokush, por s’ka mik Irfanin, s’ka mikeshën e afërt në një TV kombëtar dhe nuk ia bën kush lajm të fundit dëshirën.

Vijmë te Elisa Spiropali.

Është pak më e përmbajtur se Salianji në retorikë, por jo në dëshirë. E nisi si zemërim pse e hoqi Skënderbeu nga ministre dhe filloi të artikulohet çalë-çalë në një terren plot mina, siç është aktualisht Partia Socialiste.

Po ashtu si Ervini që s’ka teza politike për të djathtën, as Elisa nuk ka për të majtën. Për shembull, Elisa nuk guxon të thotë që partia jonë, nën drejtimin e Ramës, është bërë çiflig i oligarkisë dhe ka harruar punëtorin, fshatarin, minatorin, të varfërin.

Nuk guxon të thotë që partia jonë, duke lëvizur nga boshti i saj ideologjik, i ka shkaktuar dëme kolosale Shqipërisë në dekadën e fundit. E vetmja gjë për t’u përshëndetur te Elisa është se ka guxuar të mos votojë njëherë në parlament sipas direktivës së Ramës për Belinda Ballukun.

Por edhe kjo, deri tani, mbetet në kuadrin e një sherri apo xhelozie mes grash dhe jo një akt distancimi politik/ideologjik. Deri tani ajo përpiqet të shkruajë “hartime”, të cilat, për të qenë korrekt, i bën më mirë se Salianji — por vetëm kaq.

Thënë të gjitha këto, pushteti partiak i liderëve kryesorë të partive të mëdha duket se do të vazhdojë gjatë, pasi ky popull kaq prodhon. Një lider në 30–40 vjet; ja, PS-ja pati fatin të prodhojë dy në 35 vjet, edhe për shkak se është një parti më e vjetër — por kaq.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *