SPAK i çon fletëthirrje Adelajda Rokës: Pse Rama e mbajti edhe pas arrestimit të dy vëllezërve?
SPAK i ka dërguar fletëthirrje drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka, për t’u paraqitur përpara hetuesve, mësojnë burime të konfirmuara të “MaShqip”.
Sipas burimeve, Roka është kërkuar për të dhënë shpjegime për firma të vendosura prej saj në dokumentacionin e kaluar përmes AZHT-së. Gazeta ka konfirmuar fletëthirrjen dhe interesin për firmat, por jo ende dosjen konkrete me të cilën lidhet thirrja.
Pikërisht kjo e bën edhe më të rëndësishme pyetjen se cilat leje dhe cilat kompani po kontrollojnë hetuesit.
Emri i Adelajda Rokës është përmendur gjatë muajve të fundit në disa histori që lidhen me lejet e ndërtimit, ndërsa institucioni që ajo drejton kalon dokumentacionin e projekteve të mëdha që përfundojnë për miratim në KKT/KKTU.
Një prej pistave që mbetet për t’u verifikuar lidhet me biznesmenin Ilir Shtufi dhe projektet e ndërtimit të lidhura me të. Shtufi është arrestuar në Greqi me kërkesë të SPAK dhe ndaj tij janë ngritur akuza për pastrim parash në një hetim ku dyshohet edhe investimi në sektorin e ndërtimit. Gazeta nuk ka konfirmuar se fletëthirrja e Rokës lidhet me këtë dosje.
Një tjetër procedurë që ka ngritur pikëpyetje është dokumentacioni i një vile rreth 500 metra katrorë të lidhur me Ergys Agasin, ku në dokumentet e bëra publike është përmendur edhe firma e Rokës.
Por historia e drejtoreshës së AZHT-së ka edhe një tjetër element të fortë.
Dy vëllezërit e Adelajda Rokës, Marsel dhe Xhino Roka, janë arrestuar dhe hetuar nga SPAK nën dyshimet për lidhje me organizatën kriminale të Suel Çelës.
Gjatë operacionit është raportuar se hetuesit sekuestruan nga vëllezërit Roka edhe një bllok me shënime dhe të dhëna financiare, ku dyshohej se përmendeshin zyrtarë të ndryshëm. Përmbajtja dhe domethënia e këtyre shënimeve mbetet çështje e hetimit.
Nuk ka të dhëna publike që lidhin Adelajda Rokën me aktivitetin kriminal për të cilin hetohen vëllezërit e saj dhe përgjegjësia penale është individuale.
Por politikisht mbetet një pyetje tjetër: pse Edi Rama e mbajti Adelajda Rokën në një prej institucioneve më të rëndësishme për lejet e ndërtimit edhe pas arrestimit dhe akuzave të rënda ndaj dy vëllezërve të saj?
Pyetja bëhet edhe më e fortë tani. Rama kërkoi së fundmi dorëheqjen e një numri të madh drejtuesish të administratës. Disa prej tyre u larguan, ndërsa për Adelajda Rokën nuk pati konfirmim publik të largimit dhe ajo vazhdon të figurojë zyrtarisht Drejtore e Përgjithshme e AZHT-së.
Pse Roka mbeti?
A ishte thjesht një vendim administrativ i bazuar në punën e saj, apo kryeministri kishte arsye të tjera për ta mbajtur në drejtimin e institucionit që administron dokumentacionin e lejeve të disa prej investimeve më të mëdha të ndërtimit në vend?
Këto pyetje marrin peshë edhe nga një tjetër çështje tashmë e depozituar në SPAK, “The Albanian Files”.
Në kallëzimin e opozitës për këtë çështje përmenden së bashku Edi Rama dhe Adelajda Roka. Një prej rasteve të paraqitura lidhet me arkitektin amerikan Sam Chermayeff, i cili ka treguar se pas një komunikimi me Rokën iu fol për dy projekte në Tiranë, rreth 30 mijë dhe 15 mijë metra katrorë.
Njëri prej tyre përputhet me projektin “Sun Moon Star”, kullën 44-katëshe të projektuar nga studio e Chermayeff. Cilat firma? Për cilat leje? Për cilët ndërtues? Dhe për cilën dosje?
Kjo është pjesa që mbetet ende e pazbardhur. Por pas hetimeve që kanë prekur sektorin e ndërtimit, arrestimit të dy vëllezërve të saj dhe kallëzimit ku emri i saj shfaqet përkrah kryeministrit, thirrja e drejtueses së AZHT-së nga SPAK hap një kapitull të ri që pritet të tregojë se cilat firma të Adelajda Rokës po verifikojnë prokurorët e posaçëm.