Socialistët përjashtojnë Spiropalin, edhe për vdekje
Elisa Spiropali është shfaqur e vetme në homazhet për ndarjen nga jeta të profesorit të socialistëve, Servet Pëllumbi.
Në anën tjetër, Grupi Parlamentar i PS ka qenë i gjithi i bashkuar dhe mes tyre mungonte vetëm Spiropali.
E pyetur për këtë episod, ish-ministrja e Jashtme dhe ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, është shprehur se ajo ka qenë e vetme për shkak se “unë i kam kryer homazhet si ish-kryetare e Kuvendit. Këtu vend kanë të gjithë, pavarësisht posteve të tyre.”
Elisa Spiropali shmangu përpara gazetarëve “akuzat” ndaj socialistëve, në respekt edhe të ngjarjes ku po merrte pjesë, por mesa duket përjashtimi i saj nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste sot është bërë fakt.
Teksa u ndal tek Servet Pëllumbi, ajo tha se ai ka qenë “Një burrë i urtë me një energji të mirë, e cila gjithmonë përcillej në jetën e tij publike dhe në jetën private.”
Teksa Spriopali po jepte mesazhin e saj, në homazhe u paraqit grupi parlamentar i PS-së, me Taulant Ballën në krye, por që në mesin e tyre nuk ftuan ish-ministren e Jashtme.
Brenda në sallën e homazheve Taulant Balla gjeti një grup tjetër socialistësh, atë të deputetëve të qarkut të Fierit të cilët hynë brenda në momentin që doli Spiropali.
Teksa minutat kalonin dhe pritej të fillonte ceremoniali shtetëror me fjalimet e personaliteteve, dhe pritej ardhja e Edi Ramës, deputetët e Fierit u larguan, dhe brenda qëndruan vetëm ata të Taulant Ballës.
Teksa socialistët hynin e dilnin në grupe, Erion Braçe preferoi të qëndronte me socialistët e vjetër jashtë sallës, pasi bëri nderimet e tij për Servet Pëllumbin.
Në mbyllje të ceremonialit shtetëror kishte më shumë ish-socialistë të larguar nga politika aktive sesa deputetë aktual të grupit parlamentar.