SKANDALI: Lufta për pica në Komisariatin e Policisë së Sarandës
Nga Arben Llangozi, avokat
Të arrestuarit 24 orë pa ushqim, morën çelësat e policëve dhe i kthyen vetëm pas negociatave për bukë!
Ngjarja e ndodhur në Komisariatin e Policisë Sarandë bëhet edhe më e rëndë nga detajet që po dalin në dritë. Sipas informacioneve të siguruara nga burime prane shefit tw komisariatit bwjnw me dije se, personat e arrestuar kishin qëndruar rreth 24 orë pa ushqim dhe pikërisht kërkesa për bukë ka qenë shkaku që ka çuar në përshkallëzimin e situatës.
Të arrestuarit kanë kërkuar ushqim, por futja e tij në ambientet e izolimit është refuzuar. Pas këtij refuzimi, ata u kanë marrë çelësat tre punonjësve të policisë, kanë dalë në korridoret e dhomave të izolimit dhe për disa orë kanë mbajtur nën kontroll ambientet ku ndodheshin edhe tre efektivët.
Ajo që e bën ngjarjen edhe më të pazakontë është mënyra se si është zgjidhur situata. Sipas të dhënave, janë zhvilluar negociata drejtpërdrejt për ushqimin dhe vetëm pasi është rënë dakord që të arrestuarve t’u sigurohej bukë, është bërë e mundur kthimi i çelësave.
Pas negociatave janë blerë rreth 170 euro pica, të cilat u janë dhënë personave të arrestuar. Vetëm pasi kanë konsumuar ushqimin, ata kanë dorëzuar çelësat dhe është krijuar mundësia që policia të rimarrë kontrollin e ambienteve.
Pra, brenda Komisariatit të Policisë Sarandë, situata ka arritur në pikën ku për rikthimin e kontrollit është dashur të negociohej për ushqim me personat e arrestuar. Ky fakt ngre pyetje shumë serioze për mënyrën e administrimit të ambienteve të izolimit, kushtet në të cilat mbaheshin të arrestuarit dhe përgjegjësinë e drejtuesve që kanë lejuar që një situatë e tillë të përshkallëzohej deri në humbjen e kontrollit.
Pas kthimit të çelësave, në ambientet e Komisariatit kanë hyrë forcat e FNSH-së. Sipas informacioneve që tashmë po verifikohen penalisht, pas ndërhyrjes është ushtruar dhunë ndaj disa prej të arrestuarve. AMP po heton edhe këtë pjesë të ngjarjes, për të përcaktuar nëse është përdorur forcë apo nëse kemi të bëjmë me keqtrajtim të personave që ndodheshin nën kontrollin e shtetit.
Edhe më problematik është informacioni se përmasat reale të ngjarjes i janë mbajtur të fshehta edhe prokurores Esmeranda Basho. Në nw kwtw rast çështja nuk lidhet më vetëm me sjelljen e të arrestuarve, por edhe me mënyrën se si drejtuesit e Komisariatit kanë raportuar ose kanë zgjedhur të mos raportojnë atë që kishte ndodhur. Fshehja e një ngjarjeje të tillë, dëmtimi i kamerave dhe mungesa e një referimi të menjëhershëm kërkojnë hetim të plotë dhe përgjegjësi konkrete.
Ky është tashmë një test serioz për Prokurorinë e Sarandës dhe AMP-në. Duhet të hetohet jo vetëm kush mori çelësat dhe pse shpërtheu revolta, por edhe pse të arrestuarit u lanë 24 orë pa ushqim, pse u desh të negociohej për bukë, kush dha urdhrat, kush fshehu ngjarjen dhe çfarë ndodhi pas hyrjes së FNSH-së. Nëse ka përgjegjësi të drejtuesve, hetimi nuk mund të ndalet te punonjësit e nivelit zbatues.