21 Tetor, 2026

Shikojeni këtë fytyrë polici, që ti e quan plehrë, bir k**ve, që e pështyn e gjuan me gurë dhe e djeg me molotov

 Shikojeni këtë fytyrë polici, që ti e quan plehrë, bir k**ve, që e pështyn e gjuan me gurë dhe e djeg me molotov

Nga Dritan Hila

Shikojeni këtë fytyrë polici. Shikojeni mirë këtë foto. Është ai që ti e quan plehrë, bir kurve, kurvë, që e pështyn e gjuan me gurë, e djeg me molotov. Shikojeni mirë. Është fytyra më e mirë e Shqipërisë. Është ai që ka ndenjur në këtë vend dhe rrezikon lëkurën e tij çdo ditë pa e ditur se në darkë do përfundojë në shtëpi, spital apo në arkivol. Me 600 mijë lekë, mbron ketë vend, dhe lirinë tonë.

Ky është në anën e duhur të historisë, në anën e atdheut, përballë copave të mutit që e sulmojnë çdo ditë në rrjete sociale apo rrugë. Është ai që fëmijët i çon në shkollë publike e që shpesh ja quajnë djali apo vajza e kalecit, policit, spiunit, kriminelit. Është ai që rri me gjak të ngrirë nëse e kap reforma dhe pastaj do mbetet i vetëm përballë krimit. Ai që tradhëtohet nga politika, nga shefat, nga publiku.

Shikojeni, se ky është diga e fundit përballë anarkisë. Ky është ai që mbron shtetin dhe jo pushtetin. Kuptoni apo jo? Shtetin.

Është ai që e sjellin nga Vlora, Shkodra, Fieri që të mbrojë lirinë tënde, rendin, shtetin dhe pronën. Që e sjellin në 5 të mëngjesit dhe e çojnë në shtëpi në 12 të natës për ta marrë prapë në 5 të mëngjesit. Është ai që nuk ka bukë të hajë ose e shumta me djathë e domate, që nuk ka kohë të shkojë në banjë apo të ulet të çlodhet, ai që duron të sharat e tua me rob e familje, të tuat që vuan frustracionet seksuale por i qurravitesh të fortit të lagjes, atij të forti që pa këtë polic, të futet edhe në shtëpi dhe të merr paratë e nderin.

Shikoje ti që nuk lë gjë pa e sharë kur të venë një gjobë apo kur trafiku është i avashtë, por që i forti i lagjes të zë derën e garazhit dhe ti rri squkë para tij.

Është ai që mund të vritet siç janë vrarë 200 e ca kolegë të tij në mbrojtje të rendit, jetës dhe pronës tënde por që ti, luani i tastierës nuk le gjë pa e sharë, por mbush brekët përpara një 16 vjeçari të bërë dru me narkotikë që të kërkon paratë apo djeg pronën.

Shikoje ti intelektuali mirëkuptues me zjarrvënësit, e që mbrëmjeve pas një gote verë tregon barcaleta me polic, ti që nuk jep mend sesi bëhet një sindikatë, që nuk del të flasësh sesi mund të rregullohet kjo ngrehinë e përbashkët, që gjithë artikulimi yt i rafinuar intelektual është si të iki Rama me Berishën , por emrin e Berishës e thua me kujdes; që mbetesh ambasadave apo fondacioneve të huaja për të marrë ndonjë projekt dhe frustrimet e tua në vend se ti artikulosh dhe të krijosh një shoqëri civile të dobishme, i gjen të artikuluara tek 500 zjarrvënës që kanë 7 ditë që po terrorizojnë Tiranën.

Shikoji ti studenti që nuk rregullon krevatin në mëngjes por mendon se je në gjendje të drejtosh vendin. Kjo fytyrë është ajo që u përpoq të mbante shtetin në ‘97-ën, vit të tmerrshëm ku humbën jetën 3.700 shqiptarë, që u vra për të rivendosur rendin që ty mos të rrëmbenin në mes të rrugës ndjekësit e banditit më të madh që ka njohur ky vend dhe që sot bën strehën e rrugaçëve.

Shikoje ti, brezi Z, brezi i rinisë mesdhetare që kërkon që shteti ti gjeje ku të dojë paratë por ti të marrësh diplomë në kafene dhe borxhet ti paguajë babai apo fëmija jot.

Shikoje ti dyqanxhiu qe i jep ujë kapuçoneve nga frika mos të djegin dyqanin por i skërmitesh policit se ku është.  Ti që ke 35 vjet që bën evazion fiskal por i përmend taksat që paguake për rrogën e tij.

Shikoje ti gazetari terrorist qe qëmton një tejkalim te policisë por nuk gjen vend në lajme kur policin e djegin me molotov, kur çakejtë i sulen dhe e masakrojnë me shkopinj. Ti, qe nuk i kërkon rrogën pronarit por del në rrugë e bën revolucionarin për hesap të pronarit. Shikoje mirë. Është ai që po përpiqet të shmange një luftë civile.

Shikoje edhe ti emigranti që kërkon në rrjetet sociale që turma ti vrasë e ti shqyejë. Ti je më qesharaku. Ti je ai që dridhesh përballë policit grek, italian, gjerman apo anglez. Je ai tipi “Pu to kseris ti ime ego” dhe harron emrin e babait tek sporteli i emigracionit apo i kufirit, që të lënë në radhë në mes të borës në dimër dhe zhegut të korrikut, por nuk e hap gojën.

Shikojeni të gjithë dhe kuptoni se ky portret, shokët e shoqet e tij të armëve, kanë më dinjitet dhe e duan këtë vend më shumë se të gjithë ne.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *