Saga e përplasjes me grupin e Memaliajt, arrestohet në Dubai vëllai i Edmond Papës
Arrestohet në Dubai Kristo Qirici, vëllai i Edmond Papës i ekzekutuar në Tiranë në sagën e përplasjes me grupin e Memaliajt.
Ai do ekstradohet drejt Shqipërisë.
Qirici u shpall në kërkim nga SPAK në mars të vitit 2025, pas goditjes së grupit kriminal që dyshohet se drejtohej prej tij. Sipas Prokurorisë së Posaçme, grupi i 44-vjeçarit trafikonte sasi të mëdha droge drejt Greqisë. Po ashtu, si pjesë e këtij grupi rezultojnë të përfshirë në trafikun e drogës edhe 4 shefa komisariatesh policie.
“Gjatë viteve 2019-2021 evidentohet fakti se në Sarandë ka vepruar një grup i strukturuar kriminal, i cili merrej me kultivimin dhe trafikimin e bimëve dhe lëndëve narkotike, ndërsa krijuesi, drejtuesi dhe organizuesi i tij dyshohen se janë shtetasit nën hetim K.Q. (alias J.H., alias J.Q.) dhe E.A. (alias K.A.).
Nga hetimi del në pah fakti se gjatë viteve 2019-2021 pjesëtarë të këtij grupi të strukturuar kriminal kanë pasur detyra të caktuara me qëllim kultivimin e bimëve narkotike cannabis sativa në zonën e Sarandës dhe rrethinat e saj, duke e mbjellë në zona të caktuara dhe duke e kultivuar në ambiente të mbyllura”, njoftonte në atë kohë SPAK.
Gjithashtu, ndaj pasurive të Qiriçit, GJKKO ka vendosur masë sekuestroje, pasi dyshohet se burojnë nga veprimtari të jashtëligjshme.
Vëllai i Qiricit, Edmond Papa u ekzekutua në 16 dhjetor të vitit 2022 në zonën e Selitës në Tiranë, në rrugën “Fadil Bodinaku”.
Autorët qëlluan 9 herë në drejtim të biznesmenit dhe u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes, teksa ky i fundit ndërroi jetë rrugës për në spital.
Edmond Papa ishte me precedent në Greqi, i dënuar për trafik droge si dhe i skeduar më parë në Britani të Madhe. Viktima ishte pronar i hotel ‘Blue Sky’ në Sarandë.
Vrasja e Edmond Papës, u zbardh pak javë pasi ishte ekzekutuar.
Arsyeja qe çoi në vrasjen e tij ishte hakmarrja për vrasjen e Aleksandër Sadikajt.
Dyshohej se mes Sadikajt dhe Papës kishte pasur konflikt për çështje të trafikut të drogës dhe se njerëzit e afërt të Sadikajt organizuan atentatin ndaj Papës.
Për vrasjen u dënuan Andrew Bode si ekzekutor dhe Alban Velo si bashkëpunëtor. Sipas dosjes hetimore, ata e kishin vëzhguar Papën për disa ditë në Sarandë dhe Tiranë para atentatit.
Si u vra Edmond Papa?
49-vjeçari Edmond Papa, u qëllua rreth orës 16:30 në zonën e Selitës në Tiranë më 16 dhjetor 2022, teksa ishte në një lokal aty pranë, në rrugën “Fadil Bodinaku”.
49-vjeçari u dërgua në spital, por nuk arriti që t’u mbijetonte plagëve të marra. Në momentet që është afruar në ambientet e jashtme të lokalit Papa ka reaguar dhe ka qëlluar në drejtim të atentatorëve që ka pasur përpara, tavëll duhani dhe të tjera.
Në këtë moment një nga autorët ka qëlluar me plumba pistolete 9 herë dhe menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes.
Vrasja e Edmond Papës, u zbardh pak javë pasi ishte ekzekutuar. 6 muaj i janë dashur Albano Velos, djalit të efektivit të policisë së Komisariatit nr. 4, Dilaver Velo, që të marrë hak për vrasjen e shokut të tij Aleksandër Sadikaj, i ekzekutuar në qershor 2022.
30-vjeçari nga Këlcyra, Përmet u arrestua në Rinas teksa po kthehej nga Franca në orët e para të mëngjesit të 1 janarit, atje ku ishte larguar vetëm katër ditë pas organizimit të atentatit dhe ekzekutimit të Edmond Papës në bashkëpunim me Andrew Boden.
Dënimi i vrasësve
Gjykata e Tiranës ka dënuar me një total prej 55 vitesh burg dy autorët e vrasjes së biznesmenit Edmond Papa, ngjarje që ndodhi në dhjetor të vitit 2022 në zonën e Selitës, në Tiranë.
Andrew Bode u dënua me 30 vite burg për veprën penale “vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “mbajtje pa leje e armëve”. Ai konsiderohet si ekzekutori i biznesmenit.
Ndërsa 30-vjeçari Alban Velo u dënua me 25 vite burg për të njëjtën vepër penale – “vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim.
Të dy të pandehurit do ta vuajnë dënimin në një institucion të sigurisë së lartë, për shkak të rrezikshmërisë së tyre të lartë shoqërore.
Kush ishte Aleksandër Sadikaj?
27-vjeçari Aleksandër Sadikaj i cili u ekzekutua në një atentat të mirëorganizuar kundër tij, është një njeri me precedent të theksuar kriminal në fushën e vjedhjes, krimeve ndaj personit dhe narkotikëve.
Ai rezulton pronar i një resorti me pistë hipizmi, i njohur si “Sancho Farm Albania” në Memaliaj, vendi i origjinës së nënës. I riu, kishte prindërit të divorcuar dhe jetonte vetëm me nënën e tij në Memaliaj ku dhe kishte biznesin, të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) në janar të 2022.
Në korrik të 2019 ai ishte i përfshirë në një tjetër ngjarje kriminale ku ka tentuar që të vrasë me thikë 40-vjeçar nga Vlora Berti Tahiraj, pranë Kanalit të Cukës në Sarandë.
Në 30 korrik mori dhe masën e sigurisë në mungesë “Arrest në burg” nga Gjykata e Sarandës, por nuk dihet se si Prokuroria e ka mbyllur këtë dosje.
Ndërkohë, rezultonte ai autor i disa vjedhjeve apo kundërshtimeve të urdhrave të policisë. Sadikaj, përveç akuzave të tjera ndër vite, para 5-6 vitesh dyshohet se ka kryer një vrasje në Athinë për prishje pazaresh të drogës.