Rriten tensionet me Iranin, SHBA-të dërgojnë aeroplanmbajtësen e tretë drejt Gjirit Persik
Një aeroplanmbajtëse e tretë amerikane është nisur drejt Gjirit Persik, e shoqëruar nga anije të tjera luftarake dhe trupa marinsash. Lëvizja vjen në një moment kur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mbeten të larta dhe mund të lidhet me përgatitjet për një përshkallëzim të ri ushtarak pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.
Aeroplanmbajtësja amerikane “Roosevelt” është larguar nga porti i San Diegos dhe pritet të mbërrijë në zonën e operacioneve gjatë gjysmës së parë të nëntorit. Sipas planit, ajo mund të zëvendësojë një nga dy aeroplanmbajtëset amerikane që ndodhen tashmë në rajon, “Washington” dhe “Bush”, ose të shtojë ndjeshëm praninë ushtarake amerikane.
Në rajon pritet të dërgohet edhe grupi amfib “Makin Island”, me rreth 4 mijë marinsa, të cilët do t’i bashkohen grupit “Boxer”. Në total, prania amerikane në zonë mund të kalojë 50 mijë trupa.
Këto lëvizje duket se synojnë t’i japin Shtëpisë së Bardhë disa alternativa në rast se vendoset për rifillimin e operacioneve ushtarake kundër Iranit. Ndër opsionet që po përmenden janë sulme të mëdha ndaj objektivave ushtarake, zgjerimi i sulmeve ajrore edhe ndaj infrastrukturës, si dhe zbarkime për marrjen e kontrollit të ishujve ose pikave strategjike. Një ndërhyrje e tillë do të përballej me rreziqe të konsiderueshme.
Ndërkohë, Pentagoni ka dërguar bateri të reja të sistemeve antiraketore “Patriot” në Katar dhe Arabinë Saudite, me qëllim forcimin e mbrojtjes së bazave dhe instalacioneve amerikane në rajon. Mbrojtja ajrore amerikane është vënë nën presion gjatë përplasjeve të fundit, ndërsa Irani ka paralajmëruar se çdo sulm i ri do të pasohej nga një kundërpërgjigje e fortë.
Një tjetër pikë e nxehtë është ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme në botë për transportin e naftës. Sipas të dhënave të cituara nga “New York Times”, që prej 10 shtatorit janë goditur të paktën 13 anije, disa prej tyre duke pësuar dëme të konsiderueshme.
Irani synon të ruajë kontrollin mbi këtë rrugë ujore, ndërsa SHBA-të dhe monarkitë e Gjirit po përpiqen të mbajnë të papenguar transportin e naftës. Përplasja nuk po zhvillohet vetëm në det, por edhe në nivelin e deklaratave dhe propagandës. Uashingtoni thotë se eksportet e naftës vazhdojnë dhe se ndikimi iranian mbi Hormuzin është dobësuar, ndërsa Teherani e kundërshton këtë version dhe këmbëngul se vazhdon të ketë kontroll të rëndësishëm mbi ngushticën.
Në sfond është edhe çështja e terrorizmit. Administrata amerikane po ndjek hetimet për një incident të dyshuar pranë bazës së Fairfordit në Britani, ku dyshohet për përfshirje iraniane. Megjithatë, hetimet janë ende në zhvillim dhe disa prej personave të arrestuar fillimisht janë liruar.
Ndërkohë, policia britanike ka arrestuar një shtetas britaniko-iranian në lidhje me hetimin. Presidenti amerikan Donald Trump ka lidhur gjithashtu Iranin me incidentin tragjik të një fluturimi të FlyDubai, megjithëse deri tani nuk janë bërë publike prova që e lidhin bashkëpilotit me strukturat apo grupet pranë regjimit iranian.
Rritja e pranisë ushtarake amerikane, lëvizjet në Gjirin Persik dhe tensionet rreth ngushticës së Hormuzit tregojnë se situata mes Uashingtonit dhe Teheranit mbetet e tensionuar, ndërsa çdo përshkallëzim i ri mund të ketë pasoja për sigurinë dhe tregjet e naftës në rajon.