Raportimet mediatike: Ushtarët amerikanë në Lindjen e Mesme po përballen me mungesë ushqimesh
Ushtarët amerikanë të dislokuar në Lindjen e Mesme po përballen me mungesa të ushqimit dhe furnizimeve bazë, ndërsa lufta me Iranin ka bllokuar dërgesat postare dhe zinxhirët e furnizimit, raporton USA Today.
Sipas raportimit, mijëra pako të dërguara nga familjarët drejt trupave kanë mbetur të bllokuara, pasi Shërbimi Postar i Shteteve të Bashkuara ka pezulluar përkohësisht dërgesat drejt 27 kodeve postare ushtarake në rajon, për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore dhe vështirësive logjistike të krijuara nga konflikti.
Fotot e shpërndara nga vetë ushtarët tregojnë racione minimale ushqimi, me vakte të reduktuara në porcione të vogla dhe mungesë të produkteve të freskëta. Disa prej tyre raportojnë se furnizimet po racionohen dhe se ushqimi shpërndahet në mënyrë të kufizuar.
Familjarët, të alarmuar nga situata, kanë dërguar pako me ushqime, produkte higjienike dhe sende bazë, por shumë prej tyre nuk kanë mbërritur ende në destinacion. Në disa raste, këto dërgesa kanë mbetur në pritje për javë të tëra, pa një afat të qartë dorëzimi.
Sipas një zëdhënësi ushtarak, pezullimi i dërgesave do të vijojë “deri në një njoftim të dytë”, ndërsa rifillimi i tyre varet nga stabiliteti i transportit dhe rihapja e hapësirës ajrore.
Raporti thekson gjithashtu se disa ushtarë kanë filluar të kursejnë ushqimin, ndërsa të tjerë ndajnë furnizimet mes tyre për të përballuar situatën. Mungesat kanë ndikuar edhe në moralin e trupave, që sipas komunikimeve me familjarët, rrezikon të bjerë ndjeshëm nëse situata vazhdon.