20 Shtator, 2026

Raporti ushtarak i hartuar me AI gati çoi në luftë SHBA-në dhe Kinën

 Raporti ushtarak i hartuar me AI gati çoi në luftë SHBA-në dhe Kinën

Një raport i gabuar i hartuar me ndihmën e inteligjencës artificiale për pak sa nuk nxiti një përplasje të drejtpërdrejtë ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, raporton rrjeti mediatik CNN, duke cituar burime të njohura me ngjarjen.

Sipas raportimit, incidenti ndodhi kur një raport sekret ushtarak pretendonte gabimisht se një anije kineze po transportonte përbërës të programit bërthamor drejt Iranit.

Informacioni alarmoi menjëherë komandën ushtarake amerikane, e cila nisi përgatitjet ushtarake për sekuestrimin e mjetit lundrues.

Burimet bëjnë me dije për CNN se trupat e armatosura ishin gati për t’u ngjitur në anije dhe avionët ushtarakë ishin ngritur tashmë në ajër.

Aksioni u pezullua në minutat e fundit, pasi zyrtarët ushtarakë ekzaminuan me imtësi burimin e informacionit dhe zbuluan se raporti mbarte një gabim fatal të gjeneruar nga një chat-bot.

Po si ndodhi gabimi elektronik?

Një analist ushtarak i lidhur me Komandën e Operacioneve të Posaçme të SHBA-së në Paqësor (me bazë në Hawaii) i kishte kërkuar chat-botit të analizonte të dhënat mbi ngarkesën e anijes.

Inteligjenca artificiale përpunoi një kombinim të të dhënave nga burimet e hapura (open-source) dhe përgjimeve me sinjale sekrete (SIGINT), por keqinterpretoi të dhënat e ngarkesës.

Pasi mori përgjigjen e gabuar, analisti e përdori përsëri inteligjencën artificiale për ta strukturuar informacionin në një format standard raporti ushtarak, i cili më pas u shpërnda në zinxhirin e komandës si një dokument zyrtar.

CNN bën me dije se nuk ka arritur të konfirmojë se cila ishte në të vërtetë ngarkesa reale e anijes.

Një nga burimet e cituara nga CNN e përshkroi raportin si “tërësisht të rremë”, duke saktësuar se ngjarja “gati sa nuk filloi një luftë”.

Çdo ndërhyrje ushtarake apo përdorim force kundër një anijeje me flamur kinez gjatë një periudhe tensionesh të larta do të rrezikonte të përshkallëzohej menjëherë në një konflikt të armatosur mes Uashingtonit dhe Pekinit.

Ndërkaq, nuk është ende e qartë nëse programi i inteligjencës artificiale i përdorur nga analisti ishte një produkt komercial i disponueshëm për publikun apo një softuer specifik i zhvilluar nga qeveria e SHBA-së. Departamenti amerikan i Mbrojtjes (Pentagoni) dhe Komanda e Operacioneve të Poseçme në Paqësor nuk i janë përgjigjur kërkesave të CNN për të komentuar ngjarjen.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *