25 Gusht, 2026

Rama shpërthen ndaj komentuesve: Hidhuni përpjetë o urrejtës dhe sorra, ne tani jemi numri një në botë

 Rama shpërthen ndaj komentuesve: Hidhuni përpjetë o urrejtës dhe sorra, ne tani jemi numri një në botë

Kryeministri Edi Rama iu kundërpërgjigj mbrëmjen e kësaj të marte kritikëve që vunë në dyshim renditjen e Shqipërisë në vendin e parë të National Cyber Security Index.

Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë i cilësoi ata “urrejtës” dhe “trolla”, ndërsa theksoi se klasifikimi nuk është produkt propagande, por bazohet në një metodologji ndërkombëtare që vlerëson kuadrin ligjor, kapacitetet institucionale dhe sistemin e parandalimit në fushën e sigurisë kibernetike.

Rama u shpreh se renditja nuk ndryshon nga komentet në rrjetet sociale dhe e cilësoi vendin e parë të Shqipërisë si rezultat të punës së bërë ndër vite nga qeveria që ai udhëheq.

Postimi i plotë i Ramës në rrjete sociale 

“Një shënim i nevojshëm për urrejtësit besnikë dhe ushtrinë e tyre të trollave. Sapo postova lajmin që Shqipëria doli e para në indeksin global të sigurisë kibernetike, ata u vërsulën si tufa sorrash e korbash me turlilloj krrakrrash.

Po nëse lajmi ishte “gënjeshtër”, “propagandë”, “budallallëk”, atëherë pse gjithë ai mund i madh me gurë e me baltë? Asnjë njeri normal nuk harxhon energji për të shuar një qiri të fikur.

Në fakt renditjen në National Cyber Security Index nuk e bën as një sorrë, as një korb dhe as një troll. E vendos një metodologji ndërkombëtare, me 98.33 pikë, të matura mbi kuadrin ligjor, kapacitetet institucionale dhe sistemin e parandalimit.

Urrejtësit e mi besnikë mund të hidhen përpjetë, por tabela nuk ndryshon pse ata derdhin mllef e jargë mbi pasqyrat e tyre digjitale.

Mund të jetë e dhimbshme të jesh troll i një shteti që del në krye të klasifikimit botëror pikërisht në aftësinë mbrojtëse nga trollimet malinje, por s’ka ilaç për dhimbjen e urrejtësve.

Kështu që vazhdoni, forca, çdo koment i juaji është një klikim më shumë, një provë më shumë, dhe një buzëqeshje më shumë për mua, në këtë ditë të bukur arritjeje fantastike.

Miq dhe aleatë të vërtetë që e dinë mirë ç’është ky Index Global sot më uruan, ndërsa dështakzemërakët e Shqipërisë më sulmuan.

Të dyja palët, në mënyrën e tyre konfirmuan të njëjtën gjë: Shqipëria u ngjit në majë aty ku deri jo shumë vite më parë ishte në fund.

Dhe kjo u dhemb vetëm atyre që e duan medoemos në fund, e që për inat të vjehrrës u bënë rrogoz i mullixhiut”.

Si qendron e vërteta?

Ka një ironi të rrallë të shpallësh Shqipërinë vendin më të sigurt kibernetikisht në botë, në një kohë kur shqiptarët kanë pasur luksin e dyshimtë të shohin të dhënat e tyre personale të qarkullojnë publikisht.

Por këtë të martë Edi Rama ka një lajm që vetë e quan “të pabesueshëm, po 100% të vërtetë”: Shqipëria është ngjitur në vendin e parë në National Cyber Security Index (NCSI), me 98.33 pikë.

Renditja është e vërtetë. Vetëm se nuk thotë atë që thotë Rama.

National Cyber Security Index nuk mat sa të sigurta janë realisht të dhënat e shqiptarëve, sa mirë janë mbrojtur databazat apo sa informacion personal ka dalë nga sistemet që duhet ta ruanin.

Ai mat kryesisht gatishmërinë e shtetit për sigurinë kibernetike: nëse ka ligjet, strategjinë kombëtare, institucionet përgjegjëse, strukturat për përballimin e incidenteve, mekanizmat e koordinimit dhe kapacitetet e nevojshme.

Në këtë provim Shqipëria ka shkëlqyer.

Pra, kemi ligjet. Kemi strategjinë. Kemi institucionet. Kemi planet. Kemi strukturat. Dhe tani kemi edhe 98.33 pikët.

Ajo që NCSI nuk pyet është më banalja: po të dhënat, i ruajtët?

Sepse po ta bënte këtë pyetje, përgjigjen nuk do të duhej ta jepte qeveria. E dinë shqiptarët, të cilët ndër vite kanë parë të qarkullojnë databaza me paga, numra telefoni, targa dhe të dhëna të tjera personale.

Kjo është pikërisht diferenca që humbet në postimin triumfalist të kryeministrit.

Në të njëjtën faqe ku Shqipëria renditet e para në NCSI, ajo figuron Tier 2 në Global Cybersecurity Index të ITU-së dhe shumë më poshtë në Network Readiness Index. Janë indekse me metodologji të ndryshme, sepse siguria dhe zhvillimi digjital nuk maten me një tabelë të vetme.

Kështu që vendi i parë në NCSI është një rezultat për t’u shënuar. Por ta përkthesh atë si provë se Shqipëria është “e para në botë për sigurinë kibernetike” është një histori tjetër.

NCSI tregon se shteti shqiptar ka ngritur në letër dhe në institucione një arkitekturë pothuajse të plotë për mbrojtjen kibernetike.

Se si funksionon ajo kur vjen puna te mbrojtja e të dhënave tona, këtë indeks nuk e mat. Këtë, për fat të keq, e kemi matur vetë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *