Rama sajoi konferencën në Rinas, për të fshehur atë që (s)ndodhi në SHBA
Edi Rama e kishte menduar mirë kthimin në Shqipëri pas udhëtimit të gjatë në Shtetet e Bashkuara. Për të tërhequr vëmendjen nga rezultati i turit, përdori metodën e tij të njohur, bombat tymuese që zhvendosin debatin publik.
Fillimisht, qarqet pranë tij përhapën lajmin për dorëheqjen e kryeministrit. Më pas, vetë Rama e zëvendësoi këtë lajm me deklaratën: “Nuk ndalem”.
E gjithë loja duket se ishte përgatitur me kujdes dhe me një synim të qartë, të fshihte dështimin e turit amerikan të Edi Ramës.
Përveç fjalimit të tij të pakuptimtë në OKB dhe takimeve me disa shqiptarë në Michigan e Nju Jork, Rama nuk pati asnjë pritje, audiencë apo takim të rëndësishëm diplomatik.
Mjafton të shikosh agjendat e drejtuesve të shteteve të tjera për të kuptuar ndryshimin. Emmanuel Macron takoi Donald Trumpin, Volodymyr Zelenskyn dhe liderë të tjerë botërorë. Recep Tayyip Erdogan takoi Trumpin, drejtuesit e vendeve të Gjirit Persik dhe Qirjako Micotaqisin, kryeministrin e një shteti me të cilin Turqia ka një rivalitet të hershëm.
Po Edi Rama, kë takoi? Askënd.
Ai regjistroi zero protokoll diplomatik në hollet e Pallatit të Qelqtë në Nju Jork. Në udhëtimet e mëparshme për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Rama siguronte të paktën takime me Erdoganin dhe Micotaqisin, ndërsa agjenda përfshinte edhe kontakte të tjera.
Këtë herë nuk pati asnjë takim të tillë. Përfaqësia diplomatike shqiptare në Nju Jork, sipas të gjitha gjasave, ka bërë përpjekje për t’i siguruar kryeministrit qoftë edhe një rezultat modest. Gjithçka tregon se kërkesat janë refuzuar.
“Shkretëtira” që Edi Rama përmendi në sallën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ngjan me një lapsus frojdian për thatësirën diplomatike që e ktheu udhëtimin e tij disaditor në një fiasko.
Kur kryeministri i një shteti të vogël si Shqipëria udhëton në Shtetet e Bashkuara, ai përpiqet të zhvillojë takime me administratën amerikane, Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Shtetit, Kongresin, Senatin ose të paktën me figura me ndikim në Uashington.
Edi Rama jo vetëm që nuk shkoi në Uashington, por nuk pati asnjë kontakt të rëndësishëm me politikanë apo zyrtarë amerikanë.
I gjithë udhëtimi kushtoi shumë dhe përfshiu drejtues të PS-së e kryebashkiakë, të cilët u angazhuan për të siguruar takimet me shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Në fund, turi nuk prodhoi asnjë rezultat politik apo diplomatik.
Përse shkoi atëherë?
Rama tentoi të kapte një cep të administratës Trump dhe, sipas informacioneve, loboi fort për këtë qëllim. Megjithatë, askush nuk ia hapi derën. As Jared Kushner dhe as Ivanka Trump.
Përse e refuzuan?
Kjo është pikëpyetja që rëndon mbi njeriun e 84 mandateve. Qarqet amerikane duket se e konsiderojnë Edi Ramën një politikan të konsumuar. Pikërisht për këtë arsye nuk pranuan ta takonin.