Deklarata lemeritëse e Bajram Begajt
Nga Gjergj Erebara
Lexova deklaratën e presidentit të Republikës dhe ndjeva një nga të paktat momente në të cilat ndjehem i lemeritur. Veçanërisht me këtë paragraf:
“Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë.” [Besoj se e ka fjalën për hetimin e SPAK ndaj drejtoreshës së SHISH Vlora Hyseni.]
Ndoshta dikush duhet t’i thotë z. Begaj që “çështje individuale” është kur dikush bën seks me dikë dhe të tjerëve nuk u intereson gjë. Por kur dikush fik radarët e shtetit për një grup të strukturuar kriminal, kjo është çështje e sigurisë publike. Por kur dikushi që i fik radarët është
shef i shërbimit sekret ndërsa organizata kriminale nuk është një dosido por është një nga grupet më të konsoliduara të krimit të organizuar në vend, kjo, jo vetëm që nuk bie në kategorinë e “çështjeve individuale”, por është cënim i rendit kushtetues.
Një deklaratë që nënçmon një situatë të tillë të paprecedentë, është turp për z. Begaj si individ dhe për presidentin Bajram Begaj.
Krimi i organizuar është një emergjencë kombëtare. Z. Begaj besoj disponon kapacitetin mendor për ta parë këtë, por ma ha mendja, as burimet institucionale nuk i mungojnë.