Rama po përgatit shtatorin e tij
Nga Klementin Mile
Pas 80 ditësh protestë, problemi i Ramës nuk është më se si t’u përgjigjet protestuesve.
Problemi është si të ndryshojë fushën e betejës.
Protestuesit thonë se në shtator do të jenë më shumë. Kjo do të thotë se protesta po përpiqet të kthehet nga ngjarje në trend.
Dhe pikërisht në këtë moment rikthehet në skenë Shteti Bektashi.
Jo më si ide.
Por, sipas raportimit të Intelligence Online, me statut, pasaportë, monedhë dhe përfaqësues jashtë vendit.
Pra, Rama nuk po përpiqet ta mundë protestën në debatin e ngritur prej saj. Ai po përpiqet të zhvendosë axhendën.
Protesta kërkon ta paraqesë Ramën si problemin e Shqipërisë.
Rama kërkon të paraqitet si arkitekti i një Shqipërie që po hyn në histori.
Dhe këtu hyn premtimi tjetër i madh: Shqipëria në BE në vitin 2030.
Njëra pasaportë, si simbol i Europës së ardhshme.
Tjetra, nëse projekti realizohet siç raportohet, si simbol i një entiteti të ri bektashi.
Europa dhe Bektashizmi.
Integrimi dhe diplomacia.
Pasaporta europiane dhe pasaporta bektashiane.
Rama po ndërton një hapësirë simbolike ku ai vetë shfaqet si ndërmjetësues mes Shqipërisë, Europës dhe një projekti të ri ndërkombëtar.
Por këtu është dhe rreziku.
Bektashizmi shqiptar historikisht nuk është shfaqur si kërkesë për shtet të veçantë. Përkundrazi, historia e shtetit shqiptar e ka integruar përfaqësimin bektashi brenda shtetit kombëtar.
Prandaj, çështja kryesore nuk është a mund ta bëjë Rama këtë projekt.
Por, a do të arrijë ta bëjë projekt të Republikës, apo do të mbetet projekt i Ramës.
Në rastin e parë forcohet regjimi.
Në të dytin lideri.
Dhe këto nuk janë gjithmonë e njëjta gjë.