11 Shtator, 2026

Rama kërcënon deputetët e vet se do i fusë në burg dhe iu cakton takime çdo të premte me popullin

 Rama kërcënon deputetët e vet se do i fusë në burg dhe iu cakton takime çdo të premte me popullin

Kryeministri Edi Rama u ka vendosur një kusht të prerë deputetëve dhe drejtuesve të Partisë Socialiste, duke u kërkuar prani javore dhe direkte në terren me qytetarët, larg mbledhjeve rutinë dhe kamerave televizive.

Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se ky detyrim do të jetë i padiskutueshëm për sa kohë ai të jetë në krye të forcës politike.

“Çdo të premte në orën 5, deri sa unë të jem kryetar i PS, do të keni praninë besnike. Të gjithë, në territor, pranë njerëzve. Jo për mbledhje, ku vijnë njerëzit, flasin dhe fillojmë flasim. Prania besnike është dëgjim me radhë, ballë për ballë, tek për tek, me zë të ulët”, tha kryeministri.

Sipas kreut të qeverisë, takimet duhet të shërbejnë për të dëgjuar shqetësimet e çdo qytetari pa asnjë lloj dallimi apo favorizimi politik:

“Të vijë kushdo të qajë hallin, të flasë tek për tek, dhe të mbajë shënim hallin që robi i zotit po flet. Pa kamera. Vetëm me foto në fillim të takimit nëse personi pranon, dhe pa ekspozim fytyre. Refuzohet përkatësia partiake, nuk ka rëndësi.”

Gjithashtu, Rama u bëri thirrje të prerë ligjvënësve socialistë që të mos kthehen në ndërmjetës apo të shkelin rregullat për të premtuar zgjidhje të jashtëligjshme, por të ndjekin rrugën zyrtare.

“Mos jepni shpresë për ndihmë jashtë rregullave. Deputeti nuk kthehet sekser, të mos marrin asnjë drejtor në telefon, por të dërgojë me shkrim institucional hallin e qytetarit”, u shpreh ai.

Rama theksoi se çdo ndërhyrje e deputetëve për të punësuar qytetarët përmes një telefonate apo se personi mund të jetë familjar i tij, do të konsiderohet vepër penale.

“Çdo ndërhyrje e një deputeti për të futur një njeri në punë do të konsiderohet vepër penale. Çdo mesazh i çuar për të futur këtë në punë, ose shihe atë, do të konsiderohet vepër penale, do e propozoj të bëhet ky ndryshim.

Një deputet që e bën këtë nuk është i denjë për të qenë përfaqësues për njerëzit e tjerë. Gradat duhet të bëhen bazuar te aftësitë e njeriut dhe jo nga pozita që mban sot apo e qeverisë që bie nesër” tha Rama në fjalën e tij.

Kreu i qeverisë theksoi më tej se çdo zyrtarë që përpiqet të ndihmojë qytetarët për t’u punësuar jo ashtu siç e kërkon tregu, por në mënyrë të tërthortë, siç thuhet në zhargon “me mik”, nuk do të tolerohet.

Rama nënvizoi se këto dallime për t’i ardhur në ndihmë një personi duke e punësuar tërthorazi, përbëjnë shkelje të detyrës. Ndërsa theksoi se punët në adminstratat publike kanë vend për të gjithë.

Gjatë fjalës së tij, ai prezantoi atë që e cilësoi si “zgjidhjen” për të rikthyer besimin e qytetarëve: platformën e re “PasqyrAlbania”. Sipas tij, kjo hapësirë digjitale e qeverisë do të shërbejë për t’iu kundërvënë lajmeve të mediave dhe portaleve lidhur me dështimet e pretenduara të pushtetit.

Rama deklaroi se qytetarët nuk duhet të fajësohen kur manipulohen nga media, por duhet të kenë mundësi ta mësojnë të vërtetën drejtpërdrejt nga burimet zyrtare.

“Nga një meandër në xhungël, qytetari do të kalojë në labirintin e pasqyrave digjitale të informacionit. Nga viktimë e dezinformacionit, kjo platformë e kthen atë në mbikëqyrës”, u shpreh kryeministri.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *