20 Shtator, 2026

Qëndrimi i Zagrebit dhe heshtja e Tiranës

 Qëndrimi i Zagrebit dhe heshtja e Tiranës

Nga Enver Robelli

Ministria e Jashtme e Kroacisë menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë të Gjykatës Speciale në Hagë lëshoi këtë njoftim:

“Kroacia merr në dijeni aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Bëhet fjalë për një aktgjykim jopërfundimtar, ndaj nuk dëshirojmë të paragjykojmë përfundimin e procedurës.

Njëkohësisht, ky aktgjykim nuk e ndryshon kontekstin historik të luftës në Kosovë dhe as faktin se Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda të regjimit të Millosheviqit.

Përgjegjësia individuale e një individi nuk mund të jetë bazë për relativizimin e këtyre krimeve dhe as për vënien në pikëpyetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”.

Deklaratë fantastike dhe historikisht e saktë!

Edhe Republika e Shqipërisë ka Ministri të Jashtme. Por ajo ministri deri më sot nuk ka lëshuar asnjë deklaratë lidhur me aktgjykimin në Hagë. Asnjë!

Por më 8 shtator Ministria e Jashtme në Tiranë ka qenë shumë vigjilente dhe i ka dënuar “me forcë” sulmet e rebelëve Huthi, të mbështetur nga Irani, kundër civilëve dhe objektivave ekonomike në Arabinë Saudite, si dhe sulmet e vazhdueshme ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq. Siguria e civilëve, e drejta ndërkombëtare dhe liria e lundrimit duhet të respektohen pa asnjë përjashtim”.

Pra, problemet me lundrim në Detin e Kuq më të rëndësishme se një vendim dramatik gjyqësor që lidhet me Kosovën.

Kryeministri i Shqipërisë të vetmin reagim e ka me një fjalë me 5 shkronja: “Marre”. As tekst, as kontekst. Nuk ka as deklaratë të qeverisë.

Po më shfaqen parasysh tani disa figurina publike të Kosovës dhe me gjerë, përfshirë edhe ca aktiviste histerike partiake, të cilët sa herë që Edi Rama bërtiste falas dhe për popullizim patriotik “Hashim, o komandant”, këta dilnin i akuzonin institucionet e Kosovës se nuk janë duke bërë bash asgjë për të akuzuarit në Hagë, pa përmendur së paku mbi 30 milionë euro që janë paguar deri më tani për mbrojtje. Cili është kontributi konkret i Shqipërisë në këtë çështje?

Tirana zyrtare nuk po është në gjendje ta thotë së paku atë që e tha Republika e Kroacisë. Pse? Ndonjë ngrehje veshi nga jashtë? Mosinteresim?

(Parlamenti miratoi një Deklaratë, por jo Rezolutë. Deklarata është e ndërtuar me fjalë të përgjithshme dhe të pritshme pa ndonjë zotim për angazhim konkret).

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *