21 Maj, 2026

Pse humbi Viktor Orbán

 Pse humbi Viktor Orbán

Rrëzimi i kryeministrit autokrat të Hungarisë—modeli i të cilit i “demokracisë joliberale” u kthye në një busull orientuese për shumë aktorë të së djathtës—ishte produkt i vetë logjikës së atij modeli. Çfarëdo që të ndodhë më pas, një gjë mbetet e sigurt: si miqtë, ashtu edhe kundërshtarët e demokracisë do ta vëzhgojnë nga afër.

Nga Laszlo Bruszt

Për 16 vjet, Hungaria e Viktor Orbán mishëroi një ide shqetësuese: se “demokracia joliberale” mund të bëhej e qëndrueshme dhe të rrënjosej në pushtet. Duke ndërthurur dominimin elektoral me dobësimin sistematik të mekanizmave institucionalë të kontrollit dhe balancës, Orbán dukej se kishte zgjidhur një dilemë thelbësore të autoritarizmit modern: si të fitosh vazhdimisht në zgjedhje ndërkohë që zbraz nga përmbajtja demokracinë liberale. Dhe për shkak se modeli i tij frymëzoi admirues në të gjithë Perëndimin (dhe më gjerë), duke ushqyer një narrativë më të gjerë të rënies demokratike, humbja e tij poshtëruese në zgjedhje ka pasoja që shkojnë shumë përtej Hungarisë.

Fitorja e partisë Tisza të Péter Magyar, ashtu si triumfi i Koalicionit Qytetar në Poloni ndaj partisë joliberale Ligj dhe Drejtësi (PiS) në vitin 2023, përfaqëson jo vetëm përmbysjen e një sistemi që dukej i konsoliduar, por sinjalizon gjithashtu se regjime të tilla mund të jenë më të brishta sesa duken. Mësimi nuk është thjesht se regjimet joliberale mund të humbasin. Ai është se vetë logjika që i mban në këmbë mund të çojë në rrëzimin e tyre.

Udhëheqësit joliberalë prej kohësh e kanë justifikuar përqendrimin e pushtetit duke iu referuar suksesit të shteteve zhvillimore të Azisë Lindore. Sipas tyre, dobësimi i kufizimeve institucionale u jep qeverive mundësinë të veprojnë me vendosmëri, të koordinojnë investimet dhe të sigurojnë rritje ekonomike.

Por kjo analogji ka qenë gjithmonë e gabuar. Regjimet e Park Chung-hee në Korenë e Jugut apo të Lee Kuan Yeë në Singapor ishin efektive jo sepse përballeshin me më pak kufizime, por sepse përballeshin me më shumë presion. Pasiguria gjeopolitike dhe rreziku i vazhdueshëm i trazirave të brendshme i detyronin të siguronin përfitime të gjera ose të rrezikonin kolapsin. Llogaridhënia e reduktuar nuk prodhoi vetëkënaqësi; ajo prodhoi disiplinë.

Në përgjithësi, kapaciteti efektiv i shtetit varet nga kufizime që disiplinojnë ata që ushtrojnë pushtetin. Këto kufizime mund të marrin forma të ndryshme. Në demokracitë liberale, këtë rol e luajnë kontrollet dhe balancat kushtetuese. Në autokracitë zhvillimore, atë e siguronte cenueshmëria e brendshme dhe e jashtme.

Regjimet bashkëkohore joliberale funksionojnë në kushte shumë të ndryshme. Në mungesë të presioneve të krahasueshme me ato me të cilat përballeshin Park dhe Lee, dobësimi i llogaridhënies nuk gjeneron kapacitet zhvillimor. Përkundrazi, krijon hapësirë për përfitime rentiere. Pushteti shndërrohet në një burim për ruajtjen e koalicioneve politike, jo për ofrimin e të mirave publike. Kështu, një strategji që pretendohet të forcojë kapacitetin e shtetit shndërrohet në një sistem shpërndarjeje selektive.

Me kalimin e kohës, kjo logjikë gërryen themelet ekonomike të sundimit joliberal. Kur besnikëria politike bëhet kriteri kryesor për shpërndarjen e burimeve, efikasiteti dhe inovacioni dëmtohen. Prokurimi publik shpërblen të afërmit e pushtetit, jo firmat më produktive. Sipërmarrësit vendas përballen me korrupsion, pasiguri dhe mundësi të kufizuara për zgjerim. Në të njëjtën kohë, strategjitë e rritjes të bazuara në investimet e huaja direkte krijojnë vende pune, por shpesh nuk arrijnë të sjellin përmirësim strukturor apo rritje të qëndrueshme të produktivitetit.

Kjo është ajo që ndodhi në Hungari nën Orbán. Me dobësimin e performancës ekonomike, u dobësua edhe aftësia e regjimit për të mbajtur koalicionin që e mbështeste. Rritja më e ngadaltë ngushtoi bazën tatimore dhe uli burimet e disponueshme për rishpërndarje. Investimet në arsim, shëndetësi dhe mobilitet social mbetën në vendnumëro. Gjithnjë e më shumë hungarezë nisën ta perceptonin atë që ishte paraqitur si stabilitet si një sistem të mbyllur. Segmente të gjera të fuqisë punëtore u përballën me perspektiva në rënie, paga të ngrira dhe mundësi të kufizuara për avancim.

Në fillim të sundimit të gjatë të Orbán-it, këto dinamika të brendshme u maskuan pjesërisht nga transfertat financiare nga Bashkimi Evropian. Por qasja në këto burime u bë gjithnjë e më e kushtëzuar nga transparenca qeveritare dhe pavarësia e gjyqësorit— pikërisht ato forma llogaridhënieje që Orbán i refuzoi. Kështu u krijua një kufizim i vetëvendosur: duke shmangur mbikëqyrjen e jashtme, regjimi kufizoi vetë aksesin në burime financiare.

Ndërsa këto kufizime u shtrënguan, nuk është për t’u habitur që Orbán iu drejtua partnerëve edhe më joliberalë, përfshirë Rusinë dhe Kinën, duke shkëmbyer autonominë rregullatore me forma të reja varësie gjeopolitike. Një projekt që nisi në emër të sovranitetit rrezikonte të përfundonte në cenueshmëri.

Në një kuptim më të gjerë, Orbán tregoi se edhe sistemet shumë të kapura mund të bëhen politikisht të cenueshme. Vetë mekanizmat që e mbajtën në këmbë sundimin joliberal mund, me kalimin e kohës, të kthehen në burime brishtësie.

Modeli hungarez mbështetej në një koalicion të brishtë mes kompanive shumëkombëshe, elitave vendase të lidhura me pushtetin dhe votuesve të cilëve u premtohej stabilitet dhe përmirësim ekonomik. Por me ngadalësimin e rritjes, tensionet brenda këtij koalicioni u shtuan. Bizneset vendase gjetën më pak mundësi, ndërsa votuesit u përballën me standarde jetese në rënie dhe perspektiva të bllokuara.

Mposhtja e Orbán u bë e mundur kur pakënaqësia u kombinua me organizimin—kur një sfidues i besueshëm arriti të bashkojë një elektorat të fragmentuar dhe e shndërroi zhgënjimin në mobilizim. Aty ku opozita tradicionale ishte e dobët ose e diskredituar, kjo kërkoi një lidership të aftë për t’i përkthyer pakënaqësitë shoqërore në një lëvizje politike gjithëpërfshirëse, që kapërcente ndarjet klasore dhe institucionale.

Kjo është ajo që arritën Magyar dhe partia e tij Tisza. Për vite me radhë, Hungaria u konsiderua provë se rrëshqitja demokratike mund të institucionalizohej dhe të mbahej në këmbë brenda një sistemi formal zgjedhor. Fitorja bindëse e Magyar dëshmon diçka po aq thelbësore: sisteme të tilla nuk janë të pakthyeshme.

Megjithatë, humbja e Orbán-it, ashtu si ajo e PiS në Poloni tre vite më parë, nuk shënon fundin e joliberalizmit. Kushtet strukturore që ushqyen ngritjen e tij në pushtet—pasiguria ekonomike, fragmentimi shoqëror dhe mosbesimi politik—vazhdojnë të ekzistojnë në shumë demokraci. Për vite me radhë, Hungaria u konsiderua provë se rrëshqitja demokratike mund të institucionalizohej dhe të mbahej në këmbë brenda një sistemi formal zgjedhor. Fitorja bindëse e Magyar dëshmon diçka po aq thelbësore: sisteme të tilla nuk janë të pakthyeshme.

Tani nis sfida më e vështirë: çrrënjosja e rrjeteve të konsoliduara të patronazhit, rikthimi i autonomisë së institucioneve dhe rindërtimi i kapacitetit shtetëror pa rikrijuar kushtet që mundësuan joliberalizmin. Po ashtu, Magyar duhet të ripërcaktojë mënyrën se si artikulohen interesat kombëtare brenda Bashkimit Evropian—duke forcuar bazën e brendshme dhe njëkohësisht duke ndërtuar aleanca transnacionale që mund të çojnë përpara forma më të thella dhe më të qëndrueshme integrimi.

Mposhtja e joliberalizmit në zgjedhje ishte një arritje e vështirë. Ndërtimi i një demokracie liberale të qëndrueshme pas saj—që garanton njëkohësisht llogaridhënie dhe përfshirje—mund të rezultojë edhe më sfidues. Por një gjë mbetet e qartë: demokracitë, si aleatët ashtu edhe rivalët, do ta ndjekin nga afër këtë zhvillim.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *