Pse është trembur Edi Rama?
Nga Andi Bushati
Ndryshimet drastike në Kodin e Procedurës Penale që prezantoi Edi Rama janë një përpjekje për të shndërruar në ligj gjithë fushatën kundër prokurorëve dhe gjykatësve që ai ka ndërmarë fill pas arrestimit të Erion Veliajt, por sidomos pas pezullimit të Belinda Ballukut.
Në epiqendër të saj është kufizimi maksimal i paraburgimeve, pa vendime të formës së prerë si dhe fundi i masave të arrestit me burg për ata që dyshohen për vepra që dënohen më pak se me 5 vite. Por krahas tyre, plot 105 nenet e ndryshuara synojnë mbrojtjen e të drejtave të atyre që dyshohen si të pandehur, që nga garancitë se si merren në pyetje, se si u fillon çështja penale, se si duhet të mbrohen nga dalja e përgjimeve, që nuk kanë lidhje me çështjen apo se si u përdoret celulari i sekuestruar.
Këto dhe plot ndryshime të tjera dëshmojnë një vullnet tashmë të shpallur të kësaj mazhorancë, për ti hequr drejtësisë, por sidomos SPAK-ut dhe GJKKO-së shpatën represive që i dhuruan në duar një dekadë më parë, atëherë kur u votua reforma e reformave. Thelbi i saj është një mbrojtje më e madhe dhe të drejta më të zgjeruara për ata që hetohen për krime të rënda apo që dyshohen si të pandehur.
Nuk ka dyshim se një nismë e tillë ligjore vjen pasi kosa e drejtësisë, pas së cilës shpesh fijet i luajnë ndërkombëtarët, ka shfarrosur shumë nga bashkëpunëtorët më të afërt të Edi Ramës.
Për të njëjtin represivitet, për të njëjtat fenomene si kultura e friksimit të qytetarit, kryeministri as që është kujtuar të shqetësohet më parë. Ai që në fillim të mandatit të parë, çirrej ekran më ekran me thirrjen “Burg, burg, burg”, duke e kërkuar atë që nga të vobektit që vidhnin energjinë e deri tek tifozët që hynin në fushën e futbollit. Ai që nuk u merakos kur ky represivitet u vu re ndaj Metës Berishës apo Belerit, por në të kundërt kërkonte izolimin e tyre, më së paku është hipokrit në kujën që ka vënë tani.
Kushdo e ka të lehtë ta kuptojë se nisma për këtë paketë është marrë nga një njeri që ka frikë se laku po i ngushtohet përreth vetes. Edi Rama është i merakosur si për të gjitha Belat e veta, po ashtu edhe personalisht, ndaj po përpiqet të fitojë për të akuzuarit e deri sotëm dhe për ata që do të vijnë nesër, më shumë armë në betejën me drejtësinë. Pra, shkurt dhe shqip kjo është një paketë që e ka burimin tek ankthi prej të pandehuri.
Por, sado paradoksale që të duket, duhet pranuar se nga kjo fikë dhe ky ankth burojnë edhe efekte pozitive. Me kulturën që trashëgoi nga diktatura dhe me forcën pa llogaridhënie që i dhuroi Reforma e 2016, drejtësia jonë shpesh e ka tejkaluar të drejtën e saj. Sado animozitet publik të ketë ndaj Erion Veliajt apo Ilir Metës, mbajtja e tyre në burg pa një vendim gjykate të formës së prerë, për një kohë kaq të gjatë, nuk është normale.
Mesatarja e ditëve burgim pa gjyq, më të cilën të ndëshkojnë SPAK dhe GJKKO, pesfish më e lartë se ajo e vendeve evropiane, përbën një standart të pa tolerueshëm. Duke i fryrë fabulës së rreme të një drejtësie që do të godasë pandëshkeshmërinë, në Shqipëri u krijua një pushtet arbitrar të cilit më pak se gjithçka i interesojnë të drejtat dhe dinjiteti i personit. E këtu nuk është fjala vetëm për rastet e Beqajt apo Belerit, Kokës apo Salianjit, Veliajt apo Metës, Ballukut apo Berishës, por tek fakti se një makineri që mësohet të abuzojë, nuk di të ndalet më në këtë rrugë. Dyfishin e ditëve në paraburgim, në krahasim me vendet e BE-së, plasjen në qeli pa respektim të drejtash, arbitraritetin e marrjes në pyetje, nënshtrimin e gjykatësit ndaj prokurorit, nuk i vuajnë vetëm zyrtarët e lartë apo paraardhësit e tyre, ato janë bërë tashmë një normë të cilës i nënshtohen shumica.
Prandaj ndonëse ndryshimet e fundit kanë qëllimin ekskuziv të lehtësojnë këta të fundit, ndonëse ato burojnë nga hallet e Gysit, Vlorës, Belës apo Lalit dhe frikës që Rama ndjen se mund ti vijë radha pas tyre, ato kanë një efekt më të gjërë. Ky është një nga ato raste tipike ku ndonëse lideri mendon vetëm për prapanicën e vet, efekti që shkakton i bën mirë edhe një shumice njerëzish që mund të preken nga një drejtësi gjithnjë e më represive. Prandaj, duke qenë të ndërgjegjshëm se kjo paketë buron nga halli i Ramës, ajo duhet mbështetur si pasojë e efektit mburojë para drejtësisë represive, që krijon për një rreth të gjërë qytetarësh.