8 Tetor, 2026

Përgjigje Agron Llakajt e Filip Çakulit, që thonë se duhet të durojmë humorin e tyre

 Përgjigje Agron Llakajt e Filip Çakulit, që thonë se duhet të durojmë humorin e tyre

Nga Altin Dangëllia

Një parodi e transmetuar në emisionin “Portokalli” të dielën mbrëma, ka ndezur rrjetin.

Dhe me të drejtë.

Drejtuesi i ri i këtij emisioni, Agron Llakaj, ka vendosur të tallet me protestën dhe protestuesit.

Jo ta ironizojë atë, jo, por të tallet me njerëz anonimë, që dalin çdo mbrëmje në shesh kundër korrupsionit.

Pas revoltës me të drejtë në rrjet, Agron Llakaj ka dy ditë që del në Top Channel dhe mbron atë që ka bërë, duke u shfaqur edhe në rolin e viktimës, se po e sulmojnë dhe fyejnë nga familja.

Sipas Llakajt, ai s’ka bërë asnjë gjë të keqe, pasi siç bëri humor me protestuesit, ka bërë edhe me Ramën, Berishën e figura të tjera.

Në ndihmë të tij, Filip Çakuli, në një shkrim të sotëm, sillte rastin e presidentit francez apo të Pjetër Arbnorit, që pranonin humorin që bëhej me ta.

“Humori ka bërë shaka me mbretër, presidentë, ministra, gjykatës, priftërinj dhe turma. Ka bërë edhe humor me Zotin. Aristofani e kishte kuptuar këtë më shumë se dy mijë vjet më parë. Që atëherë, satira ka pasur një zakon të keq: nuk respekton shumë autoritetin kur autoriteti bëhet qesharak”, shkruan Filip Çakuli.

Dhe ka të drejtë!

Vetëm se “humori” i “Portokallisë” nuk drejtohej ndaj ndonjë personazh publik, siç mund të jenë politikanët, por ndaj njerrëzve të thjeshtë dhe anonimë, që dalin në shesh për hallet e tyre.

Halle që Filipi ka vite që nuk i kupton, pasi ka bërë një jetë të mirë në demokraci dhe nuk e di çdo të thotë, fjala vjen, që ka njerëz që mezi mbyllin muajin.

As nuk e di çdo të thotë të zvarritesh spitaleve kur ke ndonjë hall.

As dyerve të gjykatave.

Nuk e di, se nuk i ka pasur ndonjëherë këto halle, falë profsionit të tij dhe lidhjve me politikën.

Tani meqë e mbajnë veten si njerëz të humorit, duhet të dinë se parimi kryesor i humorit, është të mos bësh humor me njeriun anonim dhe hallexhi, por me të fuqishmin, mbretin, politikanin, pra njeriun publik, dhe pastaj me fenomenet shoqërore.

Tek parodia e “Portokallisë”, ky parim u shkel, pasi qartazi u vunë në lojë jo vetëm protestuesit e thjeshtë, por edhe disa njerëz, që mund të kenë deviacione të shëndetit mendor, dhe që janë shfaqur aty në protestë dhe kanë marrë mikrofonin.

Nuk ndodh kurrë në televizionet perëndimor, që të bëjnë humor me njerëz të tillë.

As me protestuesit, se është e paimagjinueshme që të bësh humor, me njerëz që kanë dalë të protestojnë kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit, që kërkojnë shëndetësi më të mirë, drejtësi më të mirë, qeverisje më të mirë, rroga dhe pensione më të mira, shkurt një jetë më të mirë.

Imagjinoni fjala vjen, që në Spanjë të bëhet humor me protestat që nisën nga rasti i një të moshuare që nuk paguante dot qiranë.

Apo në Francë, të bëhet humor me protestën që kanë nisur të rinjtë!

Nuk ka ndodhur dhe s’do ndodhë kurrë!

Por, vështirë se mund ta kuptojë këtë gjë dikush që është rritur dhe brumosur me humorin socrealist.

Aq më keq pastaj, kur dhe është bërë palë me të keqen, kundër qytetarit!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *