25 Gusht, 2026

Nga futbollist, në i akuzuar për atentat: Historia e norvegjezit që udhëtoi për të vrarë në Angli

 Nga futbollist, në i akuzuar për atentat: Historia e norvegjezit që udhëtoi për të vrarë në Angli

Një gjykatë në Londër ka shpallur fajtor 19-vjeçarin norvegjez Johannes Kongsnes Natland për komplot për vrasje, pasi udhëtoi drejt Britanisë së Madhe me qëllim kryerjen e një atentati të porositur nga një rrjet kriminal ndërkombëtar me lidhje me Iranin.

Sipas autoriteteve britanike, Natland, nga Stavanger i Norvegjisë, kishte pranuar të vriste një person të paidentifikuar në këmbim të 25 mijë eurove. Ai u arrestua vetëm dy ditë pasi mbërriti në Angli, gjatë një operacioni të policisë së armatosur në një hotel në Huddersfield, ku iu sekuestruan dy armë zjarri dhe municion.

Pas mbi 17 orësh diskutime, juria e gjykatës Old Bailey e shpalli fajtor për akuzën e komplotit për vrasje. Dënimi i tij do të jepet në muajin tetor.

Hetimet treguan se i riu ishte rekrutuar nga Foxtrot Network, një organizatë kriminale suedeze që sipas autoriteteve ka lidhje me qeverinë iraniane.

Gjatë gjyqit, Natland deklaroi se fillimisht kishte menduar se oferta për vrasje ishte një shaka ose mashtrim dhe se kishte pranuar për shkak të nevojës për para për të blerë drogë. Ai pretendoi se më pas kishte planifikuar të plagoste veten në këmbë për të shmangur kryerjen e atentatit.

Megjithatë, prokuroria paraqiti mesazhe dhe prova që tregonin se ai ishte plotësisht i vetëdijshëm për misionin. Në një mesazh drejtuar të dashurës së tij ai shkruante: “Po nisem në një mision të çmendur. Do të jetë interesante të vras dikë. Nëse nuk kapem, duhet ta festojmë”.

Kur Policia bastisi dhomën e hotelit, Natland doli vetëm me të brendshme dhe imitoi me duar sikur qëllonte ndaj efektivëve. Gjatë kontrollit, nën shtratin e tij u gjetën një pistoletë gjysmëautomatike, një revolver dhe 19 fishekë.

Sipas Prokurorisë, i riu kishte udhëtuar nga Norvegjia në Manchester në mars 2025. Edhe pse fillimisht ishte ndaluar nga autoritetet kufitare dhe ishte urdhëruar të kthehej në vendin e tij, ai mori një taksi drejt Huddersfield, ku mori para në dorë, armët dhe një automjet të vjedhur me targa false.

Autoritetet britanike vijojnë hetimet për identifikimin e personave që organizuan atentatin, përfshirë një drejtues me pseudonimin “Agent 47”, ndërsa drejtuesi i rrjetit Foxtrot, Rawa Majid, i njohur si “Dhelpra Kurde”, mbetet ende në arrati dhe besohet se ndodhet në Iran.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *