Në rrjet qarkullojnë video këngëtaresh duke kënduar, juria e SPAK nis vlerësimet
Një skandal në kufijtë e perversitetit mund të quhet qarkullimi ditët e fundit, i një serie videosh që tregojnë këngëtare shqiptare duke kënduar nëpër festivale apo videoklipe, me pamje eksplicite ku artistet e veshura me fustane ose pantallona, mbajnë në dorë mikrofonin dhe lëshojnë realisht zë, ndërsa orkestrat i shoqërojnë me paturpësinë më të madhe, duke u rënë veglave si të ishte diçka normale që e kishin bërë rregullisht edhe më parë.
Sipas të dhënave të para, videot skandaloze fillimisht janë zbuluar nëpër disa faqe interneti të huaja. Edhe pse autoritetet shqiptare morën masa për fshirjen e tyre apo për bllokimin e faqeve, videot ndërkohë janë duke u shpërndarë nga njëri celular në tjetrin përmes aplikacioneve të ndryshme, të nxitura nga kurioziteti i ulët, por i pashmangshëm i instinktit njerëzor për këngën dhe muzikën në përgjithësi.
Tashmë në mediat sociale, por edhe në ato tradicionale, janë duke u përmendur emra të njohur të muzikës, jeta e të cilëve është tronditur pa kthim, në disa raste duke kaluar dhe në shok psikologjik.
***
Nga një analizë e parë e materialeve filmike, rezulton se artistet janë xhiruar në mënyrë të organizuar dhe të qëllimshme, pasi pamjet janë të qarta, të ndriçuara dhe me pastërti maksimale. Deri tani përmenden rreth 20 këngëtare të njohura dhe më pak të njohura, por persona që e kanë parë gjithë stokun bëjnë me dije se numri i artisteve të përfshira në këtë skandal është disa herë më i madh.
Sipas gazetarit të kulturës Skizo Freni, “për hir të së vërtetës, prej kohësh qarkullonin fjalë se disa prej këngëtareve tona këndonin, por unë s’kam dashur ta besoj, sepse në botën e vështirë të artit qarkullojnë shumë thashetheme, hidhet shumë baltë. Por ja që faktet nuk të lënë vend për hamendësime dhe tashmë duhet të përballemi me këtë realitet tingujsh”.
Sa u përket videove, në disa prej tyre këngëtaret fillimisht janë vetëm, por nuk mungojnë videot dyshe, madje edhe treshe. Materiale edhe më sensitive janë ato ku në mes të këngës, dy këngëtareve femra u bashkohet befasisht edhe një këngëtar mashkull, sapo fillon refreni.
Ndërkaq, deklaratat e disa prej artisteve të përfshira në skandal, se nuk e dinin që po xhiroheshin, vihen në dyshim nga pamjet e qarta ku ato e shikonin kamerën në dritë të syrit, madje edhe buzëqeshnin. Për të mos folur për disa videoklipe ku këngëtarja e pacipë e ftonte kamerën ta ndiqte ndërsa ajo lëvizte duke kënduar nëpër skenë, në një plazh të shkretë, në jaht, në Kullën Esfel apo në Times Square të Nju Jorkut.
***
Për këtë temë të nxehtë janë zhvilluar jo pak emisione televizive dhe debate në ekran, edhe këto të xhiruara nga profesionistë. Shumica e analistëve janë të mendimit se këngëtaret janë në të drejtën e tyre të plotë të bëjnë ç’të duan me mikrofonin, qoftë edhe të këndojnë. Ama, askush nuk ka të drejtë t’i filmojë pa dijeni gjatë këngës, e aq më keq, të hedhë videot në internet për qëllime fitimi.
“Që në fillimet e qytetërimit siç e njohim sot, njeriu ka kënduar se ja do xhani, ja do shpirti,” theksoi moderatorja Forfora Fora, “por kjo ndodhte në privaci ose e dinin shumë pak vetë. Ndërsa sot këto gjëra bëhen virale menjëherë në sajë të teknologjisë dhe rrjeteve sociale, ndaj na bëjnë përshtypje”.
Megjithatë, ka edhe një pikëpyetje, sa i takon momentit kur këto video dolën, edhe pse janë filmuar vite më parë; aq më tepër që u publikuan të gjitha së bashku për të shkaktuar sa më shumë kërcime, përdredhje beli, kërcitje gishtash, tundje frenetike supesh dhe pasthirrmash si “Opaaa, jepi Muço”, mes audiencës shqiptare.
Në këtë aspekt, janë hedhur dyshime se përzgjedhja e çastit është e qëllimshme, si diversion për të larguar vëmendjen e publikut ndaj çështjeve edhe më të nxehta, si videoja e Presidentit të Republikës duke takuar ambasadorin e ri amerikan, videon tashmë të famshme të kryeministrit duke kruar hundën, apo videon e ish shefes së Shërbimit Transparent të Shtetit, Vlora Hanëmi, duke hyrë e duke dalë nga zyrat e SPAK-ut.
P.S. Pas skandalit të fundit, mësohet se SPAK ka hapur urgjentisht dëgjimet, duke ngritur një juri profesionale për të vlerësuar këngët dhe për të ndarë çmimet.