Mbi 100 telefonata dhe mesazhe mes Hysenit dhe Agasit, komunikime të përditshme, telefonata me videocall dhe shkëmbim imazhesh
Ndryshe nga pretendimet e Vlora Hysenit se komunikimet me Ergys Agasin kanë qenë në cilësinë e bashkëpunëtorit, SPAK thotë se komunikimi i tyre ishte i përditshëm, i tejzgjatur në kohë, telefonata me videocall dhe dërgim fotosh e videosh, konfirmojnë burime ekskluzive për Report TV.
Sipas burimeve, nga 28 qershori deri më 26 gusht, kur u arrestua Agasi, ka pasur më shumë se 100 telefonata mes tyre dhe qindra mesazhe, për të cilat SPAK thotë se nuk kanë qenë në cilësinë e bashkëpunëtorit.
Në provat që SPAK ka depozituar në Gjykatë për kërkesën për të caktuar masë sigurisë, thotë se Ergys Agasi nuk kishte vetëm rolin e bashkëpunëtorit, por merrte dhe i diktonte kreut të SHISH informacionin që i duhej.
Siç bëjnë me dije burime për Report Tv, Agasi dhe Hyseni komunikonin përmes aplikacionit “Signal”. SPAK thote se “për të ashtuquajturin bashkëpunëtor, Kreu i SHISH nuk ka vënë në dijeni asnjë nga instancat qoftë dhe paralele apo brenda institucionit”